Ka ndodhur

Grabitje dhe djegie makinash, goditet një grup kriminal në Shkodër. Dy prej tyre ushtarakë

Gazeta Si - Tre anëtarë të dyshuar të një grupi kriminal, dy prej tyre ushtarakë, janë arrestuar në Shkodër, pasi akuzohen se kanë kryer disa vjedhje, si edhe i kanë vendosur zjarrin 4 automjeteve.

Policia thotë se në pranga kanë rënë dy të rinjtë, Rasim Gorrila, 24 vjeç dhe Gerisjan Duli 24 vjeç, të dy me detyrë ushtarë në Repartin e Këmbësorëve, banues në Vaun e Dejës, si dhe shtetasi Fatjon Jubani, 34 vjeç, banues në Shkodër.

Ndërsa u shpallën në kërkim dy shtetasit Kledis Dibra dhe Amarildo Ndoj, të dyshuar si pjesëtarë të grupit.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, të organizuar si grup, dyshohet se kanë kryer këto ngjarje kriminale:

-më datë 18.11.2022, kanë djegur 3 automjete, në një servis automjetesh, ndërsa më datë 10.01.2023, kanë djegur 1 automjet, në fshatin Kaçë;

-gjatë periudhës shtator-nëntor 2023, kanë vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 6 banesa, në Vaun e Dejës dhe në Shkodër.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet që dyshohet se është përdorur nga këta shtetas, për të shkuar në vendngjarjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë