Dosje

Grabitja në Rinas, pendohet bashkëpunëtori i drejtësisë Alkond Bengasi, prish marrëveshjen me Prokurorinë

Alkond Bengasi, bashkëpunëtori i drejtësisë në procesin ndaj tetë të akuzuarve për grabitjen e eurove në Rinas, ka prishur marrëveshjen me prokurorinë.

Ai është tërhequr nga dëshmia e dhënë para prokurorëve gjatë hetimit të ngjarjes, ku rrëfente detaje të përgatitjes së megagrabitjes së 9 prillit 2019 në pistën e aeroportit si dhe takime me të bashkëpandehurit.
Mësohet se përmes një deklarate me shkrim, i penduari Bengasi ka vënë në dijeni gjykatën dhe prokurorët e SPAK, se mohonte deklarimet e dhëna më herët prej tij.
Ai ka pretenduar se rrëfimi i ishte marrë në kushte presioni dhe se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen apo akuzat e ngritura kundër tij. Njëkohësisht Bengasi është tërhequr edhe nga kërkesa për gjykim të shkurtuar.

Alkond Bengasi ka qenë punonjës në varrezën e makinave ku dyshohet të jetë modifikuar furgoni “Chervolet” i përdorur në grabitje.
Ai pretendoi në rrëfimin e tij se e kishte njohur mjetin në pamjet e publikuara nga grabitja dhe se nga takimet me të bashkëpandehurit kishte dëgjuar se “do të kishte një tronditje të madhe”.

Alkond Bengasi është kushëri i Klement Çalës. Ai akuzohet për grabitje, grup të strukturuar dhe armëmbajtje dhe prodhim municionesh.

Vetë Klement Çala është një person me precedentë të rrezikshëm dhe me të kaluar kriminale në Greqi dhe në Shqipëri po në fushën e grabitjeve të armatosura i cili vazhdon të jetë në kërkim që prej 2013-s.

Për grabitjen e Rinasit, SPAK ka dërguar për gjykim Klement Çalën, Eldi Çalën, Oltion Veselin, Elton Piklin, Saimir Çelën, Renaldo Sulën, Talo Çelën dhe Alkond Bengasin.

Sipas SPAK, kreu i grupit kriminal ishte Admir Murati, i cili mbeti i vrarë ditën e grabitjes gjatë përplasjes me armë me policinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë