Ka ndodhur

Grabitja e Postës në Babrru, dy të rinj në pranga

Policia ka zbardhur dhe dokumentuar vjedhjen e filialit të Postës Shqiptare, ngjarje e ndodhur tri ditë më parë në zonën e Babrrusë.

Policia ka identifikuar dhe arrestuar autorët, që dyshohet se vodhën nën kërcënimin e një arme lodër, një shumë parash në filialin e Postës Shqiptare, duke u larguar me biçikleta.

Në pranga kanë përfunduar të rinjtë me inicialet R. S., 15 vjeç, banues në rrugën “Gani Kryeziu” dhe E. L., 17 vjeç, banues në rrugën “Ilmi Kolgjegja”.

Sipas policisë, dy të rinjtë më 15 dhjetor rreth orës 09:15, të maskuar me kapuçët e xhupave që kishin veshur, kanë hyrë në filialin e postës Shqiptare në Babrru dhe nën kërcënimin e një arme lodër, kanë marrë 200.000 lekë dhe janë larguar me biçikleta.

Gjatë kontrollit të banesave të tyre janë gjetur e sekuestruar 160.500 lekë të rinj dhe një nga biçikletat e përdorura për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë