Ngjarje

Grabitje në pandemi në Akademinë e Studimeve Arkeologjike

Gjatë pandemisë persona të paidentifikuar ende raportohet se kanë vjedhur Akademinë e Studimeve Arkeologjike. Sipas një burimi të sigurt policor të gazetës “Si”, policia u vu në dijeni përmes Sabri Roshit, i cili ka treguar me detaje historikun e akademisë. “Pjesë e kësaj akademie është edhe laboratori i kimisë, që shërben për restaurimin kimik dhe arkeometrinë e objekteve rrëfen në komisariat Roshi. Por sikurse detajohet nga kallëzimtari, objektet e humbura ishin vendosur në një vilë që është privatizuar dhe që gjendet pranë kalasë Tiranë, shumë afër Ministrisë së Punëve të Brendshme. Qiraja e magazinës ku mbaheshin objektet është paguar deri në 2007 nga Akademia e Shkencave, por pas kësaj periudhe teksa detyrimet nuk u  mbuluan më, objekti ku ndodhej laboratori u kaloi pronarëve.

“Objektet mbeten në vilë pasi nuk kishim ku t’i sistemonim, - thuhet më tej në denoncimin e përpiluar në policinë e kryeqytetit. U njoftova nga inxhinieri i Akademisë, F. Stamati se është thyer dera e laboratorit dhe objektet janë nxjerrë jashtë, - shton Roshi. Policia deklaron për gazetën “Si”, se sipas inventarit të kryer dhe të dorëzuar nga akademia mungojnë disa objekte të rëndësishme. Kjo gjë mund të ketë ndodhur gjatë pandemisë dyshon Roshi, por policia nuk ka zbuluar ende gjurmë të të dyshuarve, pasi zona nuk ka kamera sigurie dhe kamerat e objekteve përreth nuk ofrojnë imazhe të qarta. Bëhet me dije për gazetën “Si” se akademia nuk kishte angazhuar roje për shkak të mungesës së fondeve. Nuk kishim mundësi t’i monitoronim magazinat gjatë pandemisë, ndaj dyshojmë që sendet kanë humbur në këtë periudhë këmbëngul denoncuesi. Mendohet se vlera e objekteve të vjedhura kap vlerën e 1.5 milionë lekëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë