Nga Gazeta ‘Si’– Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se Shqipëria duhet të miratojë një reformë të re zgjedhore, që të përfshijë rekomandimet e OSBE-së, të shkuara dhe të tashme.
Në një prononcim nga Korça, ku ndodhej për një aktivitet, Gonzato tha se kjo reformë duhet bërë si pjesë e rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Pyetur lidhur me qëndrimet e opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve, Gonzato u përgjigj duke thënë se çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka patur parregullsi, t’i raportojë ato e të ankohet te organet përkatëse.
“Nuk e di nëse kanë dalë rekomandimet përfundimtare, por natyrisht që kam parë rekomandimet paraprake. Ka patur gjithashtu një deklaratë shumë të qarte nga Brukseli dhe është një element që unë dua ta përmend, që unë e kam shumë kryesor siç e ka thënë dhe përfaqësuesja e lartë Kaja, është koha tashmë që qeveria shqiptare por edhe parlamenti të miratojë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara e të tashme nga OSBE ODIHR. Rezultati dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë që të ndërmarrë e të kryejë këtë reformë kaq të gjerë sepse me patjetër që i ka numrat.
Nga ana tjetër është dhe pritshmëria e shqiptarëve duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim për t’u futur në BE”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




