Rend dhe Ligj

Tentativa për të vrarë ‘Akilin’ me 25 identitete, 3 të arrestuar në grupin kriminal, ku bashkëpunoi edhe ish-polici

Gazeta Si – Me urdhër të SPAK, 3 persona janë arrestuar (njëri prej tyre në Limburg) për tentativën e vrasjes ndaj kreut të një grupi kriminal të drogës, Xhevdet Plaku në Holandë.

I njohur edhe me nofkën “Akili”, shënjestra e atentotorëve përdorte 25 identitete dhe drejtonte trafikun e drogës nga Amsterdami.

Kështu, në pranga kanë rënë Rexhep Rapi, “i forti” i Durrësit i njohur edhe si ‘Kep Rapi’, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me ish-shefin e komisariatit nr.6 në Tiranë, Dedan Gjonin (i arrestuar në 21 nëntor) për tentativën e vrasjes ndaj Xhevdet Plakut.

Policia e Durrësit ka arrestuar edhe Algert Arapin, nipi i ‘Kep Rapit’ dhe Dejvi Gjermenin, i arrestuar në Limburg të Holandës, të cilët së bashku me ish-policin Dedan Gjoni, dyshohen për grup të strukturuar kriminal.

Plaku rezulton si një nga njerëzit e dyshuar në ekzekutimin e vëllait të ‘Kep Rapit’ dhe dyshohet se për këtë arsye është kërkuar ekzekutimi i tij nga ana e grupit kriminal.

Sipas SPAK, ngjarja ishte planifikuar të realizohej në datën 17 shtator 2019 në qytetin e Durrësit, por nuk është përfunduar nga autorët.

Xhevdet Plaku, trafikanti i drogës që ishte në shënjestër për t'u eliminuar nga grupi kriminal

"Nga veprimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se, shtetasit R.R., D.GJ., A. R. në bashkëpunim me shtetasin D.D. (punonjës policie) kanë konsumuar faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer një vrasje, në dëm të shtetasit Xh. P., ngjarje e planifikuar të realizohej më datë 17.09.2019, në Durrës. Në datën 16.12.2023, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj shtetasve nën hetim R.R., D.GJ., D.D. (punonjës policie në atë kohë në DVP Durrës) dhe A.R.,", - thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Por kush është Xhevdet Plaku, "Akili"?

“Akili” njihet si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilën e drejtonte nga Amsterdami dhe pakove iu vinte emra sipas cilësisë së mallit që kishte brenda.

Zakonisht emra të markave të shtrenjtave të drogës duke nënkuptuar cilësinë e lartë të saj. 38 vjeçari i cili përdorte 25 identitete, njihet edhe si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës.

“Hermes” ishte kokaina më e pastër e më pas vinin ‘Lacoste’, ‘G4’, ‘Rolls Royce’ e ‘Playboy’. Në nëntor të vitit 2018 u arrestua në Holandë së bashku me 56 persona të tjerë, anëtarë të tre bandave të tjera, por që ishin të lidhura së bashku dhe që shef kishin Xhevdet Plakun.

Dyshohet se një grup kriminal, ku ishte edhe “Kep Arapi”, i kanë kërkuar Dedan Gjonit, se si mund t’i nxirrte në pritë një person me të cilin ata kishin konflikt dhe nuk po e gjenin se ku ishte.

Sipas SPAK, emri i tij ka dalë në SKY ECC, në biseda me Dedan Gjonin, i cili është arrestuar më herët në kuadër të një tjetër dosje penale, ku në pranga ranë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të policisë.

Nga hetimet rezulton se Dedan Gjoni ka thirrur në komisariat “Akilin” dhe u ka thënë autorëve orarin që do e lironte dhe u ka nisur foto të tij. Më pas kjo ngjarje nuk është realizuar dot pasi autorët janë tërhequr.

Kush është Rexhep Rapi ose "Kep Rapi"

Rexhep Rapi, i njohur dhe si “Kepi Rapi’ ishte arrestuar më 31 mars 2023 në aeroportin 'Nënë Tereza' me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Ai u ndalua teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria.

Ndaj tij Gjykata e Apelit e Genovas në Itali e kishte dënuar me 7 vjet për për veprën penale "Organizimi i emigracionit të paligjshëm dhe I kishin mbetur për të vuajtur dhe 4 vite të tjera burg.

Ndërkohë sot 60 vjeçari i njohuri si I forti i Durrësit u prangos në banesën e tij në Sukth me urdhër të SPAK.

Mësohet se Kep Arapi dyshohet se ka qenë i përfshirë në një tentativë vrasje së bashku me Dedan Gjonin, ish-shefin e komisariatit nr.6 në Tiranë.

Dy vjet më parë, më 30 korrik të 2021, Rexhep Rapi u arrestua me armë në lokal.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla

Reagon ministri Taulant Balla

Në reagimin e tij, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ai thotë se lufta kundër krimit të organizuar vijon bashkë me vetë-pastrimin në radhët e policisë, duke përgëzuar forcat blu dhe prokurorët e SPAK.

“Përgëzime Policisë së Shtetit dhe prokurorëve të SPAK për goditjen e një tjetër grupi kriminal në Durrës. Revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë. Në asnjë cep të territorit të kësaj republike s’mund të ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët, të cilët edhe kur policia i shoqëronte tek dera e komisariatit, ata dilnin po atë ditë nga dritarja me vendime të blera tek tezgat e drejtësisë së vjetër. Hetimet në bashkëpunim me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të vendeve partnere për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm vijojnë dhe rezultatet e këtij procesi janë domethënëse: 339 punonjës policie të arrestuar/proceduar deri më tani. Këto operacione dhe këto rezultate janë vetëm fillimi i vendosmërisë tonë për të vijuar me luftën frontale kundër krimit të organizuar dhe vetë-pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë”, thotë Balla.

Operacioni është ende në vazhdim dhe me vonë pritje një komunikatë zyrtare nga policia e shtetit, për të bërë publikë edhe emrat e të arrestuarve të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë