Rend dhe Ligj

Trafik droge drejt BE, goditet ‘klani Rraja’ në Nikël, 7 të arrestuar. Sekuestrohen 430 mijë €. SPAK zbardh episodet

Gazeta Si – SPAK ka goditur një grup kriminal në Fushë-Krujë, kryesisht anëtarë të fisit të njohur “Rraja”, që dyshohet se 5 vitet e fundit kanë trafikuar drogë në vlera miliona euro nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në total janë lëshuar 14 masa sigurie, 10 prej të cilave janë ekzekutuar. Tre prej këtyre janë aktualisht në burg për ngjarje të tjera kriminale dhe masa e arrestit iu është komunikuar në qeli. Po ashtu, në kërkim mbeten 4 të tjerë.

Në pranga janë vënë Marvin Bushati, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Sokol Qaja, Zamir Aliaj dhe tre anëtarë të fisit Rraja, Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja.

Ky i fundit ësht djali i ish deputetit të PS, Rrahman Rraja, ndërsa dy të tjerët kushërinj të tij. Si pasojë janë sekuestruar mbi 415 mijë dollarë, 7 mijë dollarë, 1 milion lekë, 11 celularë.

Gjatë kontrolleve në banesat e Rrajave, policia sekuestroi 430 mijë euro, 415 mijë ishin në euro, ndërsa pjesa tjetër lekë dhe dollarë.

Po ahtu, u sekuestruan 3 makina, 1 pistoletë Glock me nëntë fishekë, një jelek antiplumb, një palë dylbi, një orë Rolex dhe një DVR.

Aktualisht në burg ndodhen Islam Sefa, Aldo Gjini dhe Jani Çavo, ku edhe iu është komunikuar masa tjetër e arrestit. Në kërkim janë Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku, të cilët dyshohet se janë jashtë vendit.

Këta persona akuzohen për veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim dhe atë të grupit të strukturuar kriminal.

Në kërkim janë Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku. Të gjithë akuzohen si pjesë e këtij grupi të trafikut të drogës që e ushtronte këtë aktivitet nga viti 2020. Grupi dyshohet se është diktuar nga bisedat në aplikacionin “SkyEcc”, ndërsa operacioni po drejtohet nga prokurori Adnan Xholi.

Krahas masave të sigurisë, janë ushtruar kontrolle edhe në banesa me urdhër të GJKKO, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme parash, armë, automjete etj. Ndërkohë, sipas raportimeve, grupi trafikonte kokainë dhe marijuanë nga Mali i ZI, Turqia dhe drejt vendeve të BE-së.

SPAK: Drogë drejt Gjermanisë, BE-së dhe Turqisë

SPAK njofton se ka regjistruar hetimet më datë 18 janar 2024 për veprat penale të kryera gjatë viteve 2020-2021: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a të Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e deritanishme kanë rezultuar dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, se personat e dyshuar janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian.

Gjatë veprimtarisë së tyre, të dyshuarit kanë komunikuar gjithashtu mes tyre përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”.

“Këto komunikime janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike”, njoftoi SPAK.

Nga këqyrja dhe analizimi i të dhënave të administruara është bërë e mundur identifikimi i 14 personave të hetuar të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, si dhe nga ekzekutimi i letërporosive nga autoritetet malazeze, holandeze dhe turke, janë zbardhur rrethana të rëndësishme të kryerjes së veprave penale, duke u evidentuar rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve në këtë veprimtari kriminale”, njoftoi SPAK.

Episodi i parë, i përket datës 3 nëntor 2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kilogramësh, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.

Episodi i dytë, i përket datës 23 nëntor 2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.

Episodi i tretë, i përket datës 26 janar 2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.

“Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale”, njoftoi SPAK.

Kush janë të arrestuarit dhe ata në kërkim

Rrexhep Rraja dhe kushëriri i tij, Përparim Rraja ishin në kërkim nga policia e Fushë Krujës për dhunën në guroren e këtij të fundit në Borizanë, ngjarje e ndodhur më 6 korrik 2023.

Dy kushërinjtë, Bilbil e Jashar Maja kishin denoncuar në polici se gurorja e Rrajave po u prishte shtëpitë në Borizanë. Anëtarët e fisit Rraja i bënë për spital pasi i dhunuan me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda.

Tre personat që janë në burg për të njëjtin aktivitet kriminal, janë Islam Sefa, i cili u arrestua në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge.

Ai akuzohet si drejtues dhe financues i një grupi që trafikoi drogë në vlerë 3.3 milionë euro drejt Gjermanisë.

Më 18 dhjetor të këtij viti, GJKKO e dënoi me 11.4 vite burg për trafik droge në 9 episode. Vëllai i tij, Bujar Sefa, në kërkim për këtë operacion, u dënua me 10 vite burg më 1 korrik të vitit 2024 për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Rexhep Rraja (majtas) dhe ish-deputeti socialist, Rrahman Rraja

Jani Çavo, të cilit masa iu komunikua në burg, u arrestua në qershor 2023 si pjesë e një grupi që trafikonte kanabis nga Siria dhe heroinë që vinte nga Turqia, me vlerë deri në 2.7 milionë euro.

Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO e dënoi grupin e tij në total mëe 107 vite burg, ndërsa Çavo u dënua me 8.8 vite burg.

Aldo Gjini po ashtu është arrestuar më herët. Në korrik 2021, u përfshi në një plagosje në Tiranë. Gjini rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga EUROPOL për akuzat tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake.

Dyshohet edhe si autor i një plagosjeje në 2020 në Luksemburg. Në vitin 2016, u arrestua në Itali për shpërndarje droge.

Operacioni është duke vijuar dhe përfshin kontrolle në banesa të ndryshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe vjen pas hetimeve të gjata duke synuar goditjen e një prej grupeve më të njohura kriminale në zonën e Fushë-Krujës.

Kontrolli i banesave dhe procedurat e tjera janë ende në zhvillim. Më vonë gjatë ditës SPAK pritet të bëjë me dije më shumë detaje lidhur me këtë operacion.

Konkretisht, të arrestuar:

Marvin  Bushati

Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani

Sokol Qaja

Gazmir  Rraja

Përparim Rraja

Rexhep Rraja

Zamir Aliaj

Tre masat e komunikuara në burg:

Islam Sefa

Aldo Gjini

Jani Çavo

Në kërkim:

Ervis Shuli

Bujar Sefa

Hajdar Sefa

Vildan Baroku


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë