Teknologji dhe Inovacion

Gjyqi që mund të tronditë Metën, Instagram dhe Facebook përballen me ndryshime të mëdha

Meta përballet me një nga sfidat më të mëdha ligjore deri më tani, me një gjyq që mund të detyrojë kompaninë të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë Instagram dhe Facebook për përdoruesit e rinj.

Gjyqi nis të martën dhe lidhet me një padi të ngritur në vitin 2023 nga 30 shtete amerikane, përfshirë Kaliforninë dhe Nju Jorkun. Shtetet akuzojnë Metën se ka shkelur ligjet federale dhe shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve dhe privatësinë.

Por çështja nuk lidhet vetëm me një gjobë. Shtetet kërkojnë që Meta të ndryshojë disa prej funksioneve kryesore të Instagram dhe Facebook, ndërsa kërkesa financiare ndaj kompanisë kalon 1 trilion dollarë. Nëse Meta humbet, ndryshimet mund të prekin miliona përdorues në të gjithë SHBA-në.

Çfarë mund të ndryshojë në Instagram dhe Facebook?

Shtetet që kanë paditur kompaninë kërkojnë masa të shumta, mes tyre: verifikim prindëror për përdoruesit adoleshentë, ndryshime në algoritmet që rekomandojnë përmbajtje, kufizime për filtrat që ndryshojnë pamjen në foto, ndalimin e luajtjes automatike të videove, kufizime për krijimin e llogarive të shumta, ndryshime në postimet që zhduken, si Instagram Stories.

Sipas shteteve, këto funksione janë krijuar për t’i mbajtur përdoruesit, përfshirë fëmijët dhe adoleshentët, në platformat e Metës për sa më gjatë të jetë e mundur.

Meta i mohon akuzat. Kompania ka deklaruar se nuk pajtohet me pretendimet dhe se provat do të tregojnë angazhimin e saj për të mbështetur të rinjtë.

Rasti po shqyrtohet nga gjyqtarja federale Yvonne Gonzalez Rogers në Kaliforni. Rëndësia e gjyqit është rritur edhe më shumë pas një vendimi të fundit në Neë Mexico, ku Meta u gjobit me 942 milionë dollarë dhe u urdhërua të bëjë ndryshime në mënyrën se si Instagram dhe Facebook funksionojnë për të miturit.

Ndër masat e kërkuara janë heqja e numrit të pëlqimeve për përdoruesit nën 18 vjeç, kufizime për dërgimin dhe marrjen e përmbajtjeve nudo nga adoleshentët dhe kufizimi i njoftimeve në orare të caktuara.

Për Metën, bëhet fjalë për një betejë që mund të përcaktojë jo vetëm sa do të paguajë kompania, por edhe se si do të funksionojnë platformat e saj në vitet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë