Rend dhe Ligj

Gjyqi i Dritan Dajtit në Elbasan, kërkon llogaritjen e kohës së qëndrimit në burg. Seanca online shtyhet për në shtator

Gazeta Si - Seanca e radhës ndaj Dritan Dajtit, i dënuar me burg përjetë si autor i vrasjes së 4 policëve në gusht të vitit 2009 gjatë një operacioni për arrestimin e tij, u shty për në muajin shtator, pasi avokatët kanë kërkuar kohë.

Në Gjykatën e Elbasanit, Dajti ka kërkuar lirimin nga qelia me pretendimin se i ka mbaruar dënimi me 25 vite burg, vendim i dhënë nga Gjykata e Apelit, e cila pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.

Por Gjykata e Lartë para disa javësh rrëzoi këtë vendim, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vuajtjen e dënimit me burg përjetë.

Me shumë gjasa, gjykata do të shprehet më 13 shtator, kur dhe u caktua seanca tjetër. Në seancën e kryesuar nga gjykatësja Suela Lika, mungoi përfaqësuesi i burgut të Peqinit dhe u paraqit me vonesë, Glenda Zeneli, përfaqësuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Gjykatësja vendosi vijimin e seancës  pavarësisht mungesës së përfaqësuesit të IEVP Peqin për shqyrtimin e provave të reja të paraqitura nga Dajti, i cili ishte i pranishëm në seancë si zakonisht nëpërmjet video-konferencës.

Seanca u zhvillua edhe këtë radhë me "Skype", pasi autoritetet nuk mundësojnë transportin e tij në gjykatë nën frikën e një arratisjeje të mundshme.

Dajti nga ana e tij që në fillim të seancës ka kërkuar revokimin e një vendimi të ndërmjetën të dhënë kohë më parë.

Ky proces sipas Dajtit, përveç rregjistrimit audio, duhet të shoqërohet edhe me regjistrimin video. Kjo kërkesë e të pandehurit, sipas gjykatëses për momentin është e pamundur të realizohet teknikisht, sepse nuk ka infrastrukturë për regjistrim audio dhe video.

Dajti pretendon se dinamika e vuajtjes së dënimit prej tij e paraqitur në Gjykatë nga IEVP Peqin nuk është llogaritur saktë.

Ndërkohë që seanca pas 37 minutash u ndërpre për mungesë të sinjalit të internetit në IEVP Peqin. Vijimi i seancës ishte i pamundur për një kohë të shkurtër nëpërmjet video-konferencës.

Avokati i Dajtit, Alban Qafa, ka akuzuar për mungesë korrektësie të komunikimit shkresor IEVP Peqin me kërkuesin, mbrojtjen dhe Gjykatën.

Dajti ishte në prag të lirimit nga qelia, por Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të tij, dhe duke ulur dënimin në 25 vite burg.

Ishte Gjykata e Lartë ajo që riktheu në burg përjetë Dritan Dajtin, autorin e vrasjes së katër efektivëve të policisë në gusht të vitit 2009.

Dritan Dajti është shpallur fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në 7 gusht në zonën e plazhit "Iliria" në Durrës, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Më 27 korrik Dajti, mori pjesë në varrimin e nënës së tij në Tufinë i shoqërua nga dhjetëra forca speciale të Burgjeve dhe RENEA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë