Gazeta Si - Gjykata e Tiranës caktoi sot nga 6 muaj urdhër-mbrojtje reciprok për Princ Lekën dhe Elia Zaharian, pak muaj pas nisjes së procesit të divorcit dhe konfliktit fizik mes tyre në Pallatin Mbretëror në kryeqytet.
Në seancë u paraqitën vetëm avokatët e dy palëve, të cilët treguan dhe akteksperizat për dhunën e pretenduar.
Të dy, si Princ Leka si Elia Zaharia, me vendim të gjyqtarit Artan Hajredinaj janë pajisur me urdhër mbrojtje ndaj njëri-tjetrit për një afat kohe 6 muaj dhe distanca që duhet të mbajnë nga njëri-tjetri është 5 metra.
Në Pallatin Mbretëror Eli Zaharia do vijojë të qëndrojë me vajzën e saj, ndërsa Princi do e shohë të bijën në prani të dados.
Seanca e sotme, u zhvillua në vijimësi të seancës së 21 marsit, e cila u shty për mosparaqitje nga mbrojtja e Zaharisë të aktekspertizës që vërtetonte shenja dhune ndaj saj.
Princ Leka është i pajisur me urdhër mbrojtje për 1 vit me distancë 100 metra ndaj ish-vjehrrit të tij Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit nuk duhet të jetojë në pallat.
Ishte videoskandali i pak javëve më parë, i cili ngjalli shumë reagime.
Në pamjet që u bënë publike më 6 mars 2024, shihej Princ Leka që filmonte, ndërsa Elia Zaharia e godiste disa herë duke e akuzuar se ai i kishte dhunuar të atin.
Princ Leka në dëshminë e tij ka thënë se shkoi të takonte të bijën 3 vjeçare dhe u sulmua fizikisht nga vjehrri i tij.
Ndërsa, Gjergj Zaharia, është shprehur se nuk ka forcë ta godasë një “burrë dy metra”, duke shtuar se ishte Princi ai që e nisi konfrontimin fizik.
Po ashtu, Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka nisur hetimet pas denoncimit të Princ Lekës për dhunë në familje nga ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i saj.
Organi i akuzës së kryerqytetit, do të verifikojë edhe publikimin e videos së konfliktit fizik mes Princit dhe Elia Zaharias të rrjedhur në media.
Në lidhje me këtë rast, Oborri Mbretëror ka akuzuar Policinë e Tiranës për shpërndarjen e videos, por zyra e shtypit të policisë e mohoi një gjë të tillë.
Çifti e njoftoi ndarjen në rrjetet sociale rreth dy muaj më parë, ndërsa procesi i divorcit ende nuk është përmbyllur ligjërisht.
Në vitin 2016 Elia Zaharia dhe Princ Leka u martuan në një ceremoni që mori jo pak vëmendje. 4 vite më vonë ata sollën në jetë një vajzë, të cilës i vendosën emrin e gjyshes së Princit Leka II, Geraldinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.