Ngjarje

Gjykata rrëzon Malin e Tomorrit si Park Kombëtar, Klosi: Gjyqtarët të kapur nga bizneset e gurit

Qytetarët e Beratit janë ngritur sot në protestë me mbështetjen edhe të ministrit të turizmit Blendi Klosi.

Shqetësimi i përbashkët që ka ngjallur reagimin e tyre është vendimi i djeshëm i Gjykatës Administrative Tiranë, e cila ka rrëzuar Vendimin e Këshillit të Ministrave për shpalljen e Malit të Tomorrit “Park Kombëtar”.

Me pankartat në duar duke i artikuluar ato me zë të lartë: “Mos ma prek Tomorrin”, “Tomorri park natyror”, “Do ju përgjigjet vettingu dhe Abaz Aliu”, “Jo shkatërrimit të malit” etj, qytetarët e Beratit kanë kërkuar rrëzimin e vendimit të Gjykatës Administrative.

Ministri, Blendi Klosi, është shprehur në lidhje me situatën e krijuar se lufta për të mbrojtur pasuritë natyrore është e vështirë, por një luftë e drejtë.

Ne jemi këtu në Berat, ka thënë Klosi-për të dënuar me forcë një vendim të djeshëm të Gjykatës Administrative që rrëzoi VKM e qeverisë për shpalljen e Malit të Tomorrit “Park Kombëtar”, pasi me truke ata duan të mbrojnë interesat e një komuniteti të vogël që janë ata biznesmenët e gurit.

Këta biznesmenë-tha Klosi-e kanë shkatërruar malin, prej 20-vjetësh.

“Ata kanë shkatërruar të gjithë pllajën dhe hyrjen e parkut natyror të Tomorrit, që në ditët e shenjta të Abaz Aliut vizitohet nga rreth 500 mijë pelegrinë. Të gjithë ata biznesmenë janë në shkelje të ligjit sepse ata s’kanë zbatuar koordinatat, askush nuk e ka ripyllëzuar zonën e dëmtuar, ata nuk e kanë zbatuar kontratën me shtetin dhe për këtë i’u është revokuar leja” u shpreh ministri Klosi.

Sipas tij, Berati “do ta rrëzojë vendimin që morën 5 gjyqtarët e Gjykatës Adminiatrative, që votuan 4 pro dhe 1 kundër për rëzimim e VKM-së për Malin e Tomorrit. 4 gjyqtarët; Amarildo Laçi, Bari Shyti, Arkelino Gazidede dhe Fjoralba Shehu do të përballen me peticionin e qytetarëve të të gjithë qarkut të Beratit.”

Klosi u premtoi qytetarëve të Beratit se do të vazhdojë të kërkojë që të firmoset peticioni dhe vendimi i Administratives në Gjykatën e Lartë do të ankimohet.

Reagimi i PD-së për protestën: Show i Klosit për Parkun e Tomorrit, tallëse

Jamarber Malltezi publikon vendimin e Gjykatës që rrëzoi qeverinë duke e quajtur protestën e ministrit të turizmit Klosi si tallëse për qytetarët. Në një dalje publike ai ka thënë se “Lejet për guroret u dhanë nga qeveria e Ramës.”

“Sa më shumë zona të mbrojtura, të ketë në Shqiperi dhe jo beton oligarkësh, sa më shumë pyje dhe jo zona kanabisi, aq më mirë është për vendin. Por kjo “protesta” e sotme e Blendi Klosit me disa militantë, për gjoja mbrojtjen e Parkut Kombëtar në Malin e Tomorrit, është e neveritshme dhe e turpshme!
Blendi Klosi “protestonte” sot kundër vendimit të Gjykatës, e cila me kërkesën e shoqërive private, ka rrëzuar VKM e vitit 2018 për zgjerimin e Parkut Kombëtar edhe në zonat tradicionale të gurorëve.”- tha Malltezi duke shtuar se “nuk kam ndërmend të komentoj VKM për zgjerimin e Parkut, që sipas ekspertëve është demagogji, sepse çfarë ia vlen për t’u ruajtur atje, është vendosur në ruajtje në 2012-ën. Nuk do të komentoj as gjetjet e gjykatës, që sjell prova se VKM nuk ka zbatuar asnjë procedurë.”

Ajo që ai e konsideron si skandaloze dhe tallje të rëndë me qytetarët është shfaqja e turpshme e Blendi Klosit.

Siç shikohet edhe në dokumentat e paraqitur para gjykatës, sqaron Malltezi, shoqëritë e kanë hedhur në gjyq qeverinë dhe e kanë fituar gjyqin me të, pasi VKM është miratuar pa ndjekur asnjë procedurë dhe subjektet janë të licensuar nga vetë qeveria Rama për shfrytëzim të guroreve në zonën e zgjeruar me VKM-në e vjetshme.

“Këto licensa janë rinovuar herë pas here. Njëra prej tyre, që del në dokumentat e gjykatës është e vitit 2016, kështu që Blendi Klosi mund të pyesë Damian Tërmetin dhe Lefter Kokën për më shumë detaje.
Nëse qeveria donte të zgjeronte vijën e Parkut Kombëtar të Tomorrit, do të duhej që
a) të anullojë lejet dhe licensat që ka lëshuar Rama-Gjiknuri-Balluku-Koka për guroret.
b) të hapë proces konsultimi publik sipas ligjit
c) ndryshimin e përdorimit të tokës ta kalojë në KKT siç e kërkon ligji”

Për më tepër, vijon Maltezi, nëse Klosit i qan zemra për zonat e mbrojtura mjafton të mos i japë gjithë buxhetin prej 800,000 eurosh të Agjensisë së zonave të mbrojtura pikërisht drejtorit Dedej shok të Edi Ramës që ka formuar dy shoqata për të përlarë gjithë buxhetin. Ose të heqë guroret nga fondi pyjor mu buzë detit në Palasë fjala bie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë