Ngjarje

Gjykata pushoi çështjen ndaj Spartak Brahos, Agron Tufa apelon vendimin

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të pushuar çështjen në ngarkim të deputetit Spartak Braho, i cili akuzohet nga Agron Tufa për veprën penale të shpifjes, avokati i Tufës, Kujtim Cakrani ka apeluar vendimin.

Në kërkesën për apelim të vendismit, avokati Kujtim Xakrani thekson se Gjykata e Shkallës së Parë ka bërë interpretim të gabuar të ligjit, duke mos e respektuar atë dhe duke dhënë një vendim që në fakt nuk ka as numër që dhe kjo është një sheklje.

Tufa pretendonte se ai ishte kërcënuar nga Braho dhe nga persona të tjerë, ndërsa në padinë që kishte depozituar në gjykatë thuhej se ‘’më datën 1 prill, gjatë mbledhjes kur në Komisionin e Ligjeve pranë Parlamentit u lexua relacioni lidhur me punën e Institutit e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, deputeti Braho në mënyrë kërcënuese, shpifëse dhe fyese, e ka anatemuar në prani të medieve jo vetëm institutin që drejton, por edhe atë personalisht. Ai shton se më pas, Braho ka dhënë një intervistë për gazetën “Dita” duke përdorur të njëjtin fjalor. Në kërkesë padi ai thotë se është cilësuar prej Brahos si një “fashist”.

Në ankimimin e paraqitur theksohet se Gjykata e Shkallës së Parë në kundërshtim me procedurën i është referuar edhe nenit 328 pika 1 që thotë se në përfundim të hetimeve paraprake kur procedohet për kundravajtje penale prokurori vendos pushimin e akuzës apo të çështjes, duke përmendur në vendim edhe pikat përkatëse sipas rastit. "Gjykata nuk mund ti referohet kësaj dispozite, sepse kjo është vetëm për rastet kur prokurori kryen hetime lidhur me një çështje të caktuar penale. Në rastin konkret prokurori nuk ka iniciuar asgjë, por është vetëm pala në cilësinë akuzuese që pretendon një kundravajtje penale të cilën kërkon ta deklarojë të akuzuarin fajtor drejtpërdrejt me anë të provave të paraqitura, gjykatës për Shpifje e Fyerje", thuhet në ankimin e avokatit Cakrani, i cili është firmosur edhe nga vetë Tufa si dëmtuari akuzues.

Për këtë i kërkohet Gjykatës së Apelit, prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, kthimin e akteve pranë kësaj gjykate për vazhdimin e gjykimit. Agron Tufa dha dorëheqjen nga drejtori i Institutit të Studimeve për Pasojat dhe Krimit të Komunizmit, duke kërkuar strehim politik në Zvicër. Pikërisht për shkak të sulmeve të forta dhe kërcënimeve, Tufa kërkoi azil jashtë Shqipërisë, duke përfshirë si pjesë të kërcënimeve edhe përplasjet me deputetin socialist Spartak Braho.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë