Politike

Gjykata i hoqi sekuestron e pronave, SHBA: Llalla ende i padëshirueshëm për ne

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i kujton Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion se Adriatik Llalla është ende një shtetas i padëshirueshëm në SHBA një ditë pasi kjo gjykatë vendosi heqjen nga sekuestro të pronave të ish-Kryeprokurorit.

Ambasadorja Yuri Kim ka ripublikuar deklaratën e 2 viteve më parë të Sekretarit të Shtetit në atë kohë, Rex Tillerson, ku Adriatik Llalla renditet tek njerëzit e padëshiruar në SHBA për korrupsion madhor.

“Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson klasifikon tek njerëzit e padëshiruar në SHBA Adriatik Llallën pas informacioneve të besueshme për përfshirje domethënëse në afera korruptive. Sekretari i Shtetit klasifikon edhe bashkëshorten e Adriatik Llallës, Ardjana Llalla, vajzën e tij, Eni Llalla dhe fëmijën tjetër të tij që nuk është shtetas amerikan”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit të dy viteve më parë.

Çudia është se Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka hequr sekuestron ndaj pronave të ish-kryeprokurorit në një kohë që Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim akuzat e ngritura ndaj tij për deklarim të pasaktë të pasurive.

Ai akuzohet për deklarim të pasaktë të pasurive në tre raste, sipas një hetimit të çelur në Prokurorinë e Durrësit, menjëherë sapo organet e vettingut dorëzuan rezultatet e tyre, pikërisht në momentin kur ish-Prokurori i Përgjithshëm u dorëhoq për t’iu shmangur kontrollit të figurës dhe pasurisë.

Kjo solli ndërprerjen e procesit të vettingut dhe përjashtimin nga sistemi i drejtësisë të Adriatik Llallës për 15 vitet e ardhshme, por ndërkohë deklarimi i pasaktë referuar deklaratave të firmosura prej tij në ILDPKI është kthyer në një çështje penale.

Çështja hetimore për ish-Kryeprokurorin u regjistrua fillimisht në Durrës në mars 2018 dhe më tej për shkak se u shtuan edhe akuza të tjera, dosja kaloi për kompetencë pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë