Rend dhe Ligj

Gjykata e Lartë e ktheu në qeli përjetë, Dritan Dajti kërkesë për lirim nga burgu: E kam kryer dënimin me 25 vite

Gazeta Si - Pak ditë pasi Gjykata e Lartë e la në burg përjetë, Dritan Dajti, i dënuar për vrasjen e 4 policëve në 7 gusht 2009, i ka kërkuar Drejtorisë së Burgut të Peqinit që të lirohet, pasi pretendon se ka kryer 25 vite burg falë edhe gjykimit të shkurtuar.

Ai është fajtor për vrasjen e efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, në plazhin "Iliria" në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Sipas përfaqësuesve të tij ligjorë, kërkohet lëshimi i urdhrit për kryerjen e procedurës së lirimit, për shkak se ai në datë 04.07.2024, përfundon ekzekutimin e vendimit të dënimit me 25 vjet burgim.

Po ashtu kërkohet pajisja e Dritan Dajti me një vërtetim, në të cilin saktësohen kohëzgjatja e vuajtjes së dënimit, uljet dhe përfitimet për shkak të ligjit, si dhe kohëzgjatja e lloji i punës së kryer në institucion.

Në kërkesën drejtuar burgut, theksohet po ashtu dhe lëshimi i vërtetimit me të dhëna për aftësimin profesional të fituar gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, si dhe për qëndrimin dhe sjelljen e tij brenda institucionit vuajtjes së dënimit.

“Nga përmbajtja e shkresës “Dinamika e vuajtjes së dënimit për të dënuarin” rezulton se nga data e arrestimit, datë 07.08.2009, deri më datë 30.04.2024, i dënuari ka vuajtur gjithësej 24 (njëzet e katër) vjet, 8 (tetë) muaj e 13 (trembëdhjetë) ditë”, thuhet në kërkesën për lirim nga qelia.

Gjithashtu, Dritan Dajti dhe avokati i tij Alban Kapxhiu, i kanë bërë kërkesë më 4 korrik 2024 drejtorit të burgut të Peqinit lëshimin e urdhërit per kryerjen e procedures se lirimit.

“Por siç rezulton në fakt, ndonëse Dritan Dajti e ka përfunduar ekzekutimin e vendimit të dënimit me 25 vjet burgim, Drejtori i I.E.V.P.Peqin, z. Florenc Doka, ende nuk e ka nxjerrë urdhrin me shkrim që personeli i institucionit të kryejë veprimet për lirimin e tij”, thuhet në shkresë.

Por vendimi i Gjykatës së Apelit për dënimin me 25 vite burg të Dritan Dajtit është rrëzuar nga Gjykata e Lartë para pak ditësh, e cila ka rikthyer në burg përjetë me një vendim të datës 11 qershor.

Prokuroria kërkonte të lihej në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, teksa në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar duke caktuar ndaj këtij të fundit 25 vite burg.

Asokohe, Krimet e Rënda, kanë kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Ilir Duçkollarit.

“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë