Rend dhe Ligj

Gjykata e Lartë drejt shuarjes

Nga ajo që u mësua në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që kaloi në sitën e Vettingut gjyqtarin Admir Thanza, me shumë mundësi në përfundim të këtij procesi Gjykata e Lartë do të jetë me një gjyqtar më pak.

Aktualisht në këtë gjykatë, bashkë me gjyqtarin Thanza, janë vetëm 9 gjyqtarë, të ndarë në 3 kolegje, atë penal, administrativ dhe civil. Por, në asnjërin prej kolegjeve nuk arrihet që të formohet numri prej 5 gjyqtarësh që nevojitet për të shqyrtuar një çështje dhe deri më tani, për ta realizuar këtë gjykata ka shfrytëzuar mundësinë e transferimit të gjyqtarëve të saj brenda kolegjeve, për të shmangur bllokimin si institucion.

Me largimin e mundshëm të gjyqtarit Admir Thanza, që është pjesë e kolegjit administrativ në këtë gjykatë, sfida e këtij institucioni për të dhënë drejtësi bëhet akoma më e vështirë.

Raporti i KPK për Thanzën gjen shkelje në të treja fushat e inspektimit, si atë pasuror, atë të integritetit, por edhe në atë profesional. Sipas KPK, gjyqtari nuk justifikon një numër pasurish të paluajtshme dhe po ashtu rezulton i dënuar me 40 ditë burg për vjedhje nga drejtësia italiane.

Gjykata e Lartë raporton zyrtarisht një stok dosjesh prej rreth 24 mijë çështjesh që presin në radhë për t’u shqyrtuar. Përkeqësimi i situatës, sidomos në sistemin gjyqësor bën akoma më emergjente nevojën për emërimin të të sapodiplomuarve në Shkollën e Magjistraturës.

Por, ka një ngërcc ligjor që është krijuar nga vonesa e ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sipas ndryshimeve ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, janë këto dy institucione që emërojnë gjyqtarët dhe prokurorët e sapodiplomuar.

Alarmi i mbërritjes në një situatë të tillë është lëshuar që në fillim të vitit nga përfaqësuesit ndërkombëtar të ONM që kanë këshilluar ndërhyrjen e ligjvënësit përmes një norme tranzitore, që do të funksionojë deri në ngritjen e KLGj dhe KLP.

E në bazë të kësaj këshille, Shkolla e Magjistraturës dorëzoi në fund të prillit një mendim sesi mund të dilej nga ky ngërcc. Në të parashikohej rikthimi i kompetencave për emërimin e Prokurorëve tek Prokurori i Përgjithshëm dhe për gjyqtarët tek Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Mendimi i hedhur nga Magjistratura u mor nga deputetët e mazhorancës dhe u shndërrua në projektligj, më saktë amendime të ligjit actual për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por, ndryshimet kërkojnë një shumicë prej 84 votash, që PS e vetme nuk e ka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë