Njerez

Gjuha e urrejtjes në Instagram mbetet një shqetësim për adoleshentët shqiptarë

Studimet tregojnë se vetëm 3% e rasteve të Gjuhës dhe Krimeve të Urrejtjes raportohen.

Nga Gazeta Si - SIGURT.AL dhe Ambasada PINK prezantuan këtë të premte Platformën Kombëtare “RAPORTO: Gjuhën dhe Krimet e Urrejtjes”.

Gjuhën e urrejtjes e hasim kudo, në shkolla, ambiente pune, argëtimi e sportive, media, etj, ndërsa vitet e fundit edhe online.

Bazuar në raportin më të fundit të Platformës Kombëtare ISIGURT.AL, “Gjuha e Urrejtjes në Shqipëri”, i cili mbledh të dhënat 2018-2022, rreth 61 % e incidenteve online i përkasin Gjuhës së Urrejtjes, një shifër shumë e lartë kjo që tregon se ky fenomen është i përhapur kudo. Platforma sociale e cila e shfaq më shumë gjuhën e urrejtjes, është Instagrami me 52% të rasteve, ndjekur nga Facebook, Youtube dhe Tik Tok.

Por nga ana tjetër, duket se ky fenomen mban një shifër të papërfillshme të raportimeve në institucione përkatëse apo edhe ndihmuese e mbështetëse, ku vetëm 3% i raportojnë. Sipas studimit të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, 97% e rasteve të gjuhës së urrejtjes në Shqipëri nuk raportohen.

Personat më të rrezikuar ndaj gjuhës së urrejtjes, LGBTI, duket se preferojnë më tepër të raportojnë këtë fenomen. Sipas studimit, pothuajse 40% e të anketuarve viktima të gjuhës së urrejtjes pretendojnë se i janë kundërpërgjigjur personit që i ka sulmuar, rreth 30% kishin zgjedhur ta fshijnë mesazhin e urrejtjes dhe vetëm 10 për qind e të anketuarve zgjodhën të raportojnë në institucione publike si policia, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, gjykata, etj.

“Hapja e një platforme për raportimin e rasteve të gjuhës dhe krimeve të urrejtjes është tashmë një domosdoshmëri për realitetin shqiptar. Kjo platformë, është një nga zgjidhjet, por jo zgjidhja e vetme. Zgjidhja e vetme e gjuhës dhe krimeve të urrejtjes, është parandalimi i tyre”, deklaroi gjatë prezantimit Altin Hazizaj, Drejtori Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri.

Platforma Kombëtare në Internet “Raporto Krimet dhe Gjuhën e Urrejtjes” nis punën në 20 Maj në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Lezbofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë si dhe Festivalit të 13-të të Diversitetit në Shqipëri. 

Të dhënat për Gjuhën e Urrejtjes janë mbledhur gjatë periudhës kohore 2018-2022 .Ato bazohen në raportimet që fëmijët, prindërit, mësuesit apo persona të besuar të fëmijës bëjnë pranë platformës ISIGURT.AL

Viti 2020, i cili përkon edhe me vitin e pandemisë përbën numrin më të madh të raportimeve vjetore që janë dhënë në platformën ISIGURT.AL, ndërsa një pjesë e rasteve kanë ardhur si referim nga ALO 116-111.

35 përqind e incidenteve janë raportuar nga djem/burra dhe 57 për qind nga vajzat/gratë. 8 për qind nuk e kanë deklaruar seksin/gjininë e tyre në formularin e incidentit të ISIGURT.

Incidentet kryesore të raportimit të grupmoshës në ISIGURT janë 14-18 vjeç, e ndjekur nga mosha mbi 18 vjeç. Nën moshën 14 vjeç rastet janë në përqindje të vogël.

Gjuha e urrejtes mban numrin më të lartë me 61% të rasteve, duke u cilësuar aktualisht si një ndër fenomenët më shqetësues aktuale përsa i përket tipologjisë së incidenteve online, duke u ndjekur nga cyberbulling (bullizmi në rrjetet sociale) me 19%  të rasteve.

Instagram vazhdon të jetë platforma kryesore me 52% të rasteve ku fëmijët përballen me shumicën e incidenteve online dhe gjuhën e urrejtjes, ndjekur nga Facebook, Youtube dhe TikTok.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë