Lojëra me Dore

Gjokoviç zgjat serinë e fitoreve, Osaka avancon në emër të Breona Tejlor

Nga Sinsinati në “USA Open” hapi është i shkurtër. Pak orë nga fundi i një turneu nis një tjetër, në të njëjtin terren dhe me rezultate të njëjta. Njëriu i ditës është gjithmonë ai, Novak Gjokoviç, numri 1 i botës. Serbi kalon nga suksesi në Sinsinati te fitorja në turin e parë në “USA Open”. Ai mundi 6-1, 6-4 dhe 6-1 boshnjakun Damir Dzumhur.

Turneu nisi në mënyrë pak të çuditshme, me një dozë nervozizmi dhe kështu ishte edhe Gjokoviç, pavarësisht se rezultati nuk u vu asnjëherë në dyshim prej tij. Ishte fitorja e 24-t sezonale për të dhe bëhen 27 fitore radhazi, po të marrim në konsideratë edhe ato 3 të tjera të arritura në nëntor të vitit të kaluar në Kupën Davis. Serbi ishte nervoz, por dominoi në lojë ndaj Dzumhur në një “Arthur Ashe Stadium” drithërues, që kur është bosh duket edhe më i madh.

Novak Gjokoviç gjatë ndeshjes. Gazeta Si, 1 shtator 2020

Në një moment “Nole” debatoi me arbitrin, me pretekstin e orës që tregon sekondat mes fundit të një goditjeje dhe fillimit të një tjetre. Gjokoviç tani mendon për turin tjetër, që luhet të mërkurën dhe përballë tij do të jetë britaniku Kajl Edmund, i cili mundi 2-6, 7-5, 7-5, 6-0 kazakun Aleksander Bublik.

Për të mbyllur mbrëmjen në “Arthur Ashe” mendoi Naomi Osaka, e cila pas tërheqjes nga finalja e Sinsinatit, u shfaq në formë në një formë shumë të mirë, duke kaluar 6-2, 5-7, 6-2 bashkëkombësen Misaki Doi. Osaka mbante një maskë me emrin e Breona Tejlor, viktimë e një sulmi të shkaktuar nga policia e Louisville marsin e kaluar. Amerikanët janë zhgënjyer nga paraqitja e yllit Koko Gauf, e eliminuar nga letonezja Anastasija Sevastova 6-3, 5-7, 6-4.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë