Lojëra me Dore

Gjokoviç zbret Nadalin nga “froni”, në finale ndeshet me grekun Tsitsipas

Numri 1 në botë, Novak Gjokoviç, eliminon në gjysmëfinale kampionin e 13 turneve Roland Garros, Rafael Nadal. Serbi fiton 3-6, 6-3, 7-6, 6-2 dhe shkon në finale, ku e pret greku Stefanos Tsitsipas, i cili eliminoi Aleksandër Zverev në gjysmëfinalen e parë.

“Mbreti” ra nga froni. Novak Gjokoviç ka mundur Nadalin pas 4 setesh. Të mundte Rafael Nadalin në Roland Garros ishte bërë një obsesion për tenistin serb që pas finales së humbur në 3 sete ndaj kampionit spanjoll vitin e kaluar. Ajo humbje turpëruese ende digjte, ndaj dhe Gjokoviç kërkonte me çdo kusht hakmarrjen.

Gjokoviç është i vetmi tenist që ka arritur ta mundë dy herë Rafael Nadalin në Paris. Spanjolli regjistron tashmë në turneun parisien 105 fitore dhe 3 humbje, 1 në 2009-ën kundër Soderling dhe tjetrën në 2015-ën pikërisht ndaj Gjokoviçit. Në të dy rastet, kush eliminoi “mbretin”, humbi në finale, Soderling ndaj Federerit dhe Nole ndaj Vavrinkës. Të dielën serbi do të ndeshet me Tsitsipas me një objektiv të dyfishtë: titullin e dytë në Roland Garros dhe vazhdimin e rrugës drejt Grand Slam-it, me Uimbëlldonin në prag.

Dëshpërimi i Nadalit pas humbjes. Gazeta Si, 12 qershor 2021

"Ishte një nga emocionet më të mëdha të jetës sime, - ka thënë Gjokoviç pas fitores. – Të mund Nadalin këtu është diçka e rrallë, energjia në fushë ishte e lartë dhe mendoj se ishte ndeshja më e bukur e turneut edhe falë publikut".

Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe më e bukur nga sa mund të ishte menduar. Nadal fluturoi 5-0 dhe fitoi setin e parë, por Nole hyri gradualisht në lojë në setin e dytë dhe barazoi. Nadal mori një pushim, ndoshta për një problem muskulor. Seti i tretë ishte një “thriller”, me shumë përmbysje, me gejme shumë të gjatë. U duk që ishte në lojë më shumë se një set. Rafa, padron i fushës, kaloi përpara 6-5 dhe kishte një “set point”, por Gjokoviç nuk vdes kurrë. Serbi shkoi në “tie break” dhe e fitoi setin pas 92 minutash spektakël që vetëm të mëdhenjtë dinë të dhurojnë.

Publiku filloi të bërtiste "Nuk ikim" dhe ndërsa Novak Gjokoviç shkonte të ndërrohej, vjen njoftimi se ora policore për spektatorët do të shtyhej. Rifilloi ndeshja me setin e katërt, që Nadal e nisi mirë dhe kaloi publikun në delir. Nole nuk u dorëzua, Nadal gaboi në shërbimet e tij dhe e humbi ndeshjen. Fundi i një ere?

Tsitsipas dhe Zverev. Gazeta Si, 12 qershor 2021

Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, Stefanos Tsitsipas ka mundur Aleksandër Zverev pas 5 setesh dhe 3 orësh lojë. Për grekun do të jetë finalja e parë në Paris. Ai triumfoi 6-3, 6-3, 4-6, 4-6 dhe 6-3 ndaj gjermanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë