Lojëra me Dore

Gjokoviç super. Serena Uilliams e përjetshme, 39 vjeç në gjysmëfinale

Novak Gjokoviç ka shfaqur vlerat e tij më të mira dhe për herë të 9-të në karrierë është kualifikuar për në gjysmëfinale të “Australia Open”. Ai ka mundur pas 4 setesh gjermanin Alexander Zverev, 6-7, 6-2, 6-4 dhe 7-6, në një ndeshje që zgjati 3 orë e 30 minuta.

Novak Gjokoviç pas fitores ndaj Zverev. Gazeta Si, 16 shkurt 2021

Një ndeshje shumë e fortë, që nisi me dyshimet mbi dëmtimin në krahun e djathtë që kishte pësuar numri 1 në botë në sfidën ndaj Tejlor Fritz, ku serbi vuajti para se të gjente lojën e tij më të mirë. Zverev ishte mjaft i karikuar dhe në setin e parë shkoi 3-1. Gjokoviç u përpoq shumë që ta spostonte gjermanin sa në njërin krah në tjerin. Seti i parë u vendos nga një “tie break”, që Sasha e nisi keq, por me një “smash” gjermani arrin në “set point”-in e tretë. Zverev shërben dhe Nole nuk arrin ta mbajë topin në fushë dhe pas 1 ore gjermani është në avantazh.

Por në AND-në e serbit nuk ekziston fjala humbje, ndërsa Zverev e nis setin e dytë disi i çliruar. Gjokoviç është më i kthjellët dhe e fiton këtë set 6-2. Në fillim të setit të tretë kthehet papritur Gjokoviçi i setit të parë dhe pas rezultatit 3-1 ai përplas raketën në tokë, duke e bërë copë. Gjuha e trupit të numri 1 është totalisht negative dhe Zverev përfiton për të shkuar 4-1. Më pas Nole gjen qetësinë dhe barazon 4-4 fillimisht e më pas fiton setin.

Gjokoviç nervoz përplas raketën në tokë. Gazeta Si, 16 shkurt 2021

Në fillim të setit të katërt duket qartë nervozizmi në fytyrën e serbit, që gjendet në disavantazh 3-0. Por reagimi i tij është i fuqishëm dhe 3-3. Zverev vuan fizikisht. Kur rezultati është 5-6, luhet gejmi më i bukur i ndeshjes. Nole shkon 40-0, Zverev bën 4 pikë radhazi. Më pas gjermani gabon dy herë nga fundi dhe sërish “tie break”, që është ndryshe nga ai i setit të parë. Gjokoviç shkon 6-5, por gabon duke e çuar topin në rrjetë. Pastaj gabon gjermani dhe “match point” për Nolen, me shërbimin në dispozicion. Ejsi i serbit i jep fund ndeshjes. Ai siguron gjysmëfinalen e 39-të në turnetë Slam. Të enjten do të sfidojë rusin Aslan Karatsev.

Serena Uilliams e përjetshme
Beteja titanike mes Serena Uilliams dhe Simona Halep është zgjidhur me një sukses komod të amerikanes, që shkon në gjysmëfinale të “Australian Open”, duke e mundur rumunen 6-3, 6-3 në një orë e 21 minuta. Kjo është gjysmëfinalja e 40-të për Serenën në një turne Slam dhe tashmë është 2 hapa larg rekordit të Margaret Kurt.

Që në gejmin e parë kuptohet se si do të shkojë ndeshja, me amerikanen 39-vjeçare në një formë shumë të mirë. Halep reagon në një farë mënyre, por Uilliams përgjigjet si duhet dhe shkon 5-2 e më pas fiton setin në 6-3. Në fillim të setit të dytë ka një rënie fizike të Uilliams dhe Halep krijon përshtypjen se mund ta barazojë ndeshjen. Por amerikania kupton rëndësinë e momentit dhe e mbyll ndeshjen me “match-point”-in e dytë, pas një gjuajtjeje të drejtë të pakapshme.

Serena Uilliams gjatë ndeshjes. Gazeta Si, 16 shkurt 2021

“E dija, - tha Serena pas ndeshjes, - që duhej të luaja mirë. Është pa dyshim ndeshja më e mirë që kam luajtur në këtë turne. Isha e ndërgjegjshme se ç’duhet të bëja kundër numrit 2. Fizikisht ndihem mirë. Kundërshtarja e radhës (Naomi Osaka) është e fortë, e vlerësoj shumë, por do të përpiqem të bëj më të mirën”. Për Serenën është gjysmëfinalja e 9-të në “Australia Open”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë