Lojëra me Dore

Gjokoviç shuan ëndrrën e Tsitsipas, është mbreti i ri i Parisit

Nole humbi dy setet e para kundër grekut, pastaj përmbysi krejtësisht situatën dhe fitoi finalen e Roland Garros pas 5 setesh, 6-7, 2-6, 6-3, 6-2 dhe 6-4. Në Uimbëlldon do të tentojë të kapë dy fenomenët e tjerë, Federer dhe Nadal.

Në fund e arriti objektivin e tij. Si një kanibal, me forcën mentale që vetëm ai është në gjendje të vendosë në fushë. Novak Gjokoviç, pas një lufte prej 5 setesh kundër Stefanos Tsitsipas, është kampioni i ri i Roland Garros. Nole shkruan kështu për herë të dytë emrin e tij në librin e artë të Slam-it parisien.

Gjokoviç gjatë ndeshjes. Gazeta Si, 13 qershor 2021

Dhe të mendosh që nuk kishte mundësi, duke pasur parasysh si nisi ndeshja. Serbi u gjend në dy sete disavantazh dhe pati vështirësi për të lexuar lojën e grekut. Pastaj, nga break-u në setin e tretë, që i lejoi të shkurtonte diferencën në 1-2, numri 1 në botë vendosi këmbën te gazi dhe “dogji” kundërshtarin, duke e çuar ndeshjen te seti i 5-të. Dhe natyrisht, e fitoi atë. Mungesa e eksperiencës në një finale Slam, e luajtur për më tepër ndaj një “monster”, bëri diferencën për Tsitsipas, i cili ëndërroi për pak.

Tani Gjokoviç ka shkuar në kuotën e 19 Slam-eve, 1 hap larg Nadal dhe Federer, me nga 20. Por serbi mund t’i kapë dhe t’i kalojë. Objektivi, edhe pse i padeklaruar, është që të bëhet më i madhi i tenisit, duke fshirë dy rivalët nga libri i rekordeve. Gjokoviç i ka marrë zviceranit rekordin e javëve në krye të klasifikimit, duke shkuar në kuotën e 324 javëve. Dhe me të është dueli i radhës, pasi Federer po bën gjithçka për t’u përgatitur sa më mirë për Uimbëlldonin, që synon ta fitojë për herë të 9-të.

Gjokoviç ka një objektiv më të madh: të shkojë në 20 Slam-e. Dhe pastaj është ëndrra e quajtur Grand Slam, porta e fundit për të fituar Olimpin e tenisit. Sot serbi u bë lojtari i tretë në histori që fiton të paktën dy herë 4 turnetë e mëdhenj. Para tij janë vetëm Roi Emerson dhe Rod Laver. Punë legjendash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë