Lojëra me Dore

Gjokoviç në Us Open, Kongresi i kërkon presidentit Bajden ta lejojë

Gazeta Si - Prania e kampionit Novak Gjokoviç në Flushing Meadows është shumë afër. Deputetët republikanë Klaudia Tenei ddhe Loui Gohmert i kanë kërkuar presidentit të SHBA-ve t’i japë serbit një leje të veçantë për hyrjen në vend.

Fillimist tifozët, më pas kolegët dhe tani edhe politika rreshtohet në favor të hyrjes së Gjokoviç në SHBA për Slam-in e fundit të sezonit, Us Open. Tenisti i pavaksinuar dhe që në fillim të vitit nuk mundi të luante në Australian Open, nuk mund të marrë pjesë për shkak të masave anti Covid-19 në fuqi në territorin amerikan dhe kanadez.

Novak Gjokoviç. Gazeta Si, 5 gusht 2022

Një situatë komplekse për ‘Nolen’, që duhet të shpresojë vetëm te ndonjë perjashtim. Një leje speciale do të bënte që ai të hynte në Amerikë.

Për këtë, me një shkresë zyrtare i janë drejtuar administratës Bajden dy pjesëtarë të Kongresit, republikanët Klaudia Tenei dhe Loui Gohmert. Ata kanë kërkuar që të autorizohet zbarkimi i sportistit serb dhe lojtarëve të tjerë të pavaksinuar në Nju Jork. Turneu luhet pas tri javësh.

"T’u mohosh sportistëve të mëdhenj, si 21 herë kampioni Slam Novak Gjokoviç, të garojnë në evente të profilit të lartë, do të thotë të prishësh rëndësinë jetësore të tyre nga ana ekonomike dhe diplomatike”, - shkruhet në dokumentin e shpërndarë në rrjetet sociale nga dy politikanët, drejtuar Sekretarit të Shtetit, Antoni Blinken.

Tenei në Tuiter ka shtuar: "Normativat e Bajden për udhëtimet ndërkombëtare i takojnë kontrollit dhe politikës, jo shëndetit publik". Për pjesëmarrjen në turne nuk është i nevojshëm vaksinimi për lojtarët me pasaportë amerikane.

Normat për të huajt janë të tjera dhe situata mund të ndryshojë vetëm, nëse presidenti Xho Bajden i jep Gjokoviçit “National Interest Exemption".

Në anën e tenistit serb janë rreshtuar edhe shumë kolegë nëpër botë. Një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të tenisit amerikan, Xhon Isner, ka thënë: “Është çmenduri, është absurde që ‘Nole’ nuk mund të marrë pjesë".

Gjokoviç ka zyrtarizuar mungesën në Masters 1000 të Montrealit. Ai vazhdon të stërvitet në çimento, duke shpresuar se do të marrë pjesë në US Open.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë