Lojëra me Dore

Gjokoviç bën mrekullinë e 8 në Melburn, është ai numri 1 në botë

“Australian Open” i përket tenistit serb, Novak Gjokoviç. Ai ka vuajtur në finale, por në fund ia ka dalë të mundë austriakun Domnik Thiem, 3-2. Ka qenë një finale shumë e fortë, e vendosur nga 5 sete dhe me Gjokoviçin fitues: 6-4, 4-6, 2-6, 6-3, 6-4.

Për herë të tetë në karrierë Gjokoviç triumfon në Melburn dhe ky është trofeu i 17-të “Slam” për të. Për më shumë se katër orë ka zgjatur kjo finale, ku serbi ia doli të kalojë momentin e vështirë, kur ishte 1-2 me sete. Novak Gjokoviç konfirmohet kampion në Australi, pas fitores së vitit 2019, ndërkohë që suksesin në këtë vend e ka nisur në 2008-ën, për të vazhduar në vitet 2011, 2012, 2013, 2015 dhe 2016.

Gjokoviç dhe Thiem takohen pas ndeshjes. Gazeta Si, 2 shkurt 2020

Këtë radhë “Nole” nuk e ka pasur aspak të lehtë, sepse përballë kishte një Thiem në formë shumë të mirë. Austriaku 26-vjeçar në 5 ndeshjet e fundit me Gjokoviç kishte fituar 4, ndërkohë që kishte mbërritur në finalen e Melburnit pasi kishte eliminuar emra si Manarino, Fritz, Monfils, Zverev dhe mbi të gjitha Rafael Nadal. Eksperienca ka të bëjë shumë në ndeshje të tilla dhe serbi e vërtetoi qartë. Australia duket si një shtëpi e dytë për Gjokoviçin, i cili tashmë është numri 1 në botë, duke zbritur nga froni Nadal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë