Ngjarje

Gjoba të majme, regjistrim mjetesh të blinduara, patenta me pikë. Si ndryshon Kodi Rrugor

Ashpërsim gjobash, sidomos për drejtuesit e rinj të automjeteve, krijim të një regjistri për automjetet e blinduara dhe përdorimi i tyre vetëm nga personi zotërues, transformimi i patentave me sistemin e pikëve dhe rikthimi në autoshkolla për të gjithë ata që humbasin plotësisht këto pikë.

Këto janë disa nga ndryshimet kryesore që propozon Ministria e Brendshme për Kodin Rrugor. Drafti është gati edhe është hedhur për konsultim publik para se të hyjë në procedurat parlamentare për miratim.

Drafti propozon shtimin e një pike në nenin 71, sipas të cilës personat që duan të qarkullojnë me automjete të blinduara duhet të pajisen me një autorizim përkatës më parë nga Policia e Shtetit. Nëse kapen në qarkullim pa këtë autorizim, automjeti konfiskohet dhe drejtuesi gjobitet nga 100 deri në 200 mijë lek. Të njëjtat penalitete zbatohen edhe për rastet kur mjeti drejtohet nga një person i paautorizuar.

Sa u takon pikëve, drafti propozon që patentat të kenë 20 të tilla, të cilave u zbriten nga 3 deri në 6 pikë në varësi të llojit të shkeljes dhe periodicitetit të tyre. Heqja e pikëve është e pakthyeshme. Kjo do të thotë që nuk parashikohet asnjë mekanizëm për rifitimin e tyre, por përcaktohet se në momentin që një drejtues ka zero pikë në patentë, ai rikthehet në një autoshkollë të autorizuar për një kurs njëjavor dhe i nënshtrohet sërish mësimit dhe praktikës për marrjen e patentës.

Vendimin për heqjen e pikëve nuk e merr polici rrugor, që konstaton shkeljen, por qendra e kontaktit e policisë, që do të interpretojë sipas përcaktimeve të Kodit Rrugor shkeljen dhe penalitetet shoqëruese të saj. Ndërkohë, ashpërsohen deri në 10 mijë lek gjobat për shkelësit e ndalim-qarkullimit, mosdhënien e përparësisë dhe të ndalimit në një kryqëzim ndërsa për ata që udhëtojnë në sens të kundërt, përveç gjobës u pezullohet patenta për 3 muaj dhe u hiqen 5 pikë nga ajo.

Gjobat janë ashpërsuar edhe për tejkalim të kufirit të shpejtësisë, që në varësi nga masa e tejkalimit shkojnë nga një mijë, deri në 200 mijë lek dhe deri në pezullim me 6 muaj të patentës. Për drejtuesit e mjeteve që janë pajisur me patentë brenda tre viteve të fundit gjobat aplikohen dyfish dhe leja e drejtimit hiqet për një vit.

Projekt/ligji ndalon përdorimin e telefonave dhe çdo mjeti tjetër teknologjik për komunikim në drejtimin e makinës, përfshirë këtu kufjet. Por, përdorimi i pajisjeve pa kufje, ose kufje lejohet për sa kohë që drejtuesi i mjetit ka aftësi të përshtatshme dëgjimi në të dy veshët, të cilat nuk kërkojnë përdorimin e duarve për funksionimin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë