Treg

Gjoba të majme nëse s’paguan siguracionin e makinës 2 javë pasi mbaron afati

Nëse vonohesh deri në dy javë në pagimin e siguracionit vjetor të deturueshëm për automjetin, do të gjobitesh me deri në 50 mijë lekë.

Ky është një nga ndryshimet që ka parashikuar projektligji i ri për Kodin Rrugor.
Për këtë, Konfindustria do ti kërkojë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të mos miratojë në seancë plenare projektligjin në fjalë, për disa ndryshime në Kodin Rrugor.

Kërkesë e njëjtë do të bëhet edhe për Presidentin për të mos dekretuar ligjin në rast të miratimit nga ana e Kuvendit.

Sipas Konfindustrisë, disa nga ndryshimet e propozuara në projektligj, cënojnë interesin publik, dhe janë me tipare të qarta klienteliste të tipit “state capture/kapje e shtetit”, duke rënduar në mënyrë të drejtpërdrejtë financiarisht kostot e biznesit dhe jetesës së qytetarëve shqiptarë.

Gjithashtu, procedurialisht, thotë Konfindustria, projekt ligji i Kodit Rrugor është kaluar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë pa u debatuar me grupet interesit dhe duke shfrytëzuar gjendjen e trazuar politike si edhe funksionimin jo normal të Kuvendit të Shqipërisë.

“Gjendja bëhet edhe më e rëndë në kushtet kur Gjykata Kushtetuese prej kohësh është praktikisht jofunksionale. Eshtë e papranueshme dhe antikushtetuese, që qytetarët dhe bizneset, të penalizohen në mënyrë automatike deri në 50 mijë lekë gjobë, kur kalojnë 15 ditë pa paguar siguracionin vjetor të detyrueshëm edhe pse mund të jenë në kushtet e mospërdorimit të mjeteve në pronësi. Një praktikë e tillë e pashembullt, që prek zotëruesit e mbi 600 mijë automjeteve në Shqipëri, është e panjohur në vendet e Rajonit, BE dhe më gjerë. Në vendet në fjalë siguracionet e mjeteve motorrike mund të gjenden me kohëzgjatje të shumëllojtë, sipas kërkesave të tregut”- citon Konfindustria.
Për të, në tregun shqiptar, me shfaqje të dukshme të grupimeve të tipit “kartel”, siguracionet e detyrueshme të mjeteve gjenden vetëm në afatin kohor 1 vjecar.

Konfindustria gjykon se, penalitetet për zotëruesit e mjeteve mund të shkojnë në vlera prej shumë miliona euro/vit, që do të shkojnë, sipas saj, në përfitim të dyfishtë të kompanive të sigurimit.

Së pari, rendit ajo, rrisin në mënyrë të padrejtë të ardhurat e operatorëve nga primet e sigurimit të detyrueshëm pavarësisht, nëse mjetet përdoren ose jo nga qytetarët dhe bizneset.

Së dyti, shkojnë për të plotësuar detyrimet ligjore financiare në miliona euro, që kompanitë e sigurimit nuk kanë derdhur prej vitesh në Byronë e Sigurimeve.

Konfindustria i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të shqyrtojë përgjegjësinë e ekzekutivit dhe sidomos Agjencisë së Mbikqyrjes Financiare/AMF si institucion në varësi të drejtpërdrejtë të tij, për çmimet e larta, mungesën e llojeve të produkteve, problematikat e pagesave të siguracioneve, etj. Problematikat e mësipërme janë pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së konkurencës dhe gjendjes së organizimeve të tipit “kartelit” në tregun e sigurimeve, të vërejtur edhe nga Autoriteti i Konkurencës.

Sipas të dhënave në 20 vitet e fundit në Shqipëri kanë ndodhur mbi 7000 mijë aksidente automobilistike.

Megjithëse tregu i sigurimeve ka rezultuar me rritje në aspektin e të ardhurave, kompanitë e sigurimit kanë paguar më pak dëme.

Primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – shkurt kapën vlerën mbi 2,369 milionë lekë, ose 1.37% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2018.

Por, dy muajt e parë të vitit kanë regjistruar më pak dëme të paguara nga kompanitë e sigurimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, gjatë periudhës janar – shkurt 2019, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 0.83 milionë lekë, ose 6.78% më pak se në periudhën janar – shkurt 2018.

Në tregun shqiptar gjenden mbi 10 kompani sigurimesh, megjithatë, ka gati dy vite që në tregun e sigurimeve ka një qëndrueshmëri lidhur me primet e sigurimit për mjetet motorike. Por këto prime shfaqen me ndryshime të pakonsiderueshme nga kompania në kompani.

Kontrolli i Lartë i Shtetit mendon se ky treg ka tiparet e një oligopoli dhe se Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar në bashkëpunimin me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për të ndryshuar këtë situatë.

Raporti më i fundit i KLSH-së tregon në lidhje me performancën e AMF-së se ka një sërë problematikash dhe më kryesorja është qënësia e tregut oligopol.

“Në ushtrimin e kompetencave të veta sa i përket mbikëqyrjes së kompanive të sigurimit, AMF, në raste të caktuara, nuk ka vepruar gjithmonë në përputhje të plotë me ligjin duke mos marrë masat sanksionuese përkatëse, në shumën 27.400.000 lekë (gjoba të pavendosura). Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar në bashkëpunimin me AMF-në për sigurimin e një konkurrence të lirë dhe të ndershme në tregun e sigurimeve dhe ky treg shfaq tiparet e një oligopoli” do të raportonte KLSH.

Ajo thekson se përgjatë viteve 2015-2017 AMF ka qenë pjesërisht efektiv në përmbushjen e misionit institucional si rregullues dhe mbikëqyrës i tregut të sigurimeve. “Problematikat historike të AMF-së e të këtij tregu, administrimi nga strukturat drejtuese, si dhe vendim-marrja e Bordit, kanë cenuar mirëfunksionimin e vetë tregut, transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorit. Pavarësisht vullnetit dhe punës së mirë të drejtuesit aktual të AMF-së, përpjekjet për të arritur objektivat emergjente dhe strategjike të paracaktuara duhet të intensifikohen” citohet në dokument.

Raporti thekson se Byroja Shqiptare e Sigurimit, nuk ka përmbushur funksionin e vet dëmshpërblyes dhe mbikëqyrja e AMF-së ndaj saj nuk ka arritur pritshmërinë.

“Fondi i Kompensimit, edhe pse ka treguar shenja rimëkëmbjeje nga ngërçi vetëm vitin e fundit, mbart ende 277.056.933 lekë pagesa dëmesh ose rreth 25% nga shlyerja e plotë e tij” thuhet në raport.

KLSH nënvizon se lidhur me detyrimet e pashpërndara të vitit 2018 u la afat deri në janar 2019 për të mbyllur detyrat ashtu sikurse kishte përcaktuar AMF në vendimin e vet lidhur me Fondin e Kompensimit.

Kjo situatë vijon prej kohësh. Qeveria Rama sapo erdhi në pushtet ndërhyri në Kodin Rrugor duke parashikuar shtim penalitetesh për drejtuesit e automjeteve.

Një nga penalitetet që hasi në kundërshtim me ndryshimet e 2014-ës, ishte gjoba prej 40 mijë lekësh për kalimin me semafor të kuq. Qeveria e argumentoi ndryshimin në atë kohë me ulje të aksidenteve dhe jo mbushjen e arkës së shtetit,

“Ministria e Transporteve ka menduar që 10-fishimi i gjobës do të sillte ndërgjegjësim tek qytetarët”, do të thoshte një zyrtar i ministries së transporteve në atë kohë.
Por, deputetët e maxhorancës u shprehën skeptikë për zbatimin e këtij ligji, i cili sipas tyre do të hasë në vështirësi. Nënkryetari i komisionit, Taulant Balla, tha se pakësimi i shkeljes së rregullave të qarkullimit do të duhet të bëhet me pikëzim të patentës dhe jo përmes rritjes së gjobave.

Madje vetë deputeti i maxhoranës Taulant Balla do të thoshte se “Duhet vendosur pikëzim i lejeve të drejtimit dhe jo rritje e gjobave, me të cilat do të rritej dhe korrupsioni”, tha Balla.

Kurse, deputeti Ben Blushi do të theksonte në atë kohë se me ndryshimet e sjella nga qeveria në kodin rrugor, shoferët paragjykohen për shkak të moshës dhe nuk vlerësohen për aftësitë e tyre. “Parashikoni të ulni, nuk e di se për çarë arsye, moshën e patentës për transport mallrash, duke e çuar në 70 vjeç. E paragjykoni për shkak të moshës dhe jo për shkak të aftësisë. Në fshat, ku përdoret transporti për bujqësi pse të mos e bëj këtë një 70-vjeçar, por të paragjykohet”.

Deputetët e Partisë Demokratike do ta denonconin në 2014-ën masën arbitrare sipas tyre të rritjes së gjobave dhe mundësisë që kjo do të linte për korrupsion e abuzim me qytetarët.

 

Më Shumë