Gazeta Si – Avokatët e Sali Berishës, kanë ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila ka lënë në detyrim paraqitje ish-kryeministrin, si të dyshuar për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.
Të enjten e javës së shkuar, përveç detyrimit për t’u paraqitur, Gjykata la në fuqi edhe masën e sigurisë ndalim për daljen jashtë Shqipërisë të ish-kryeministrit.
Ankimimi për vendimin e Gjykatës së Posaçme është depozituar sot nga avokati i Berishës, Genc Gjokutaj. Ky i fundit deklaroi për mediat se pjesë e ankimimit është dhe masa e sigurisë dhënë në mungesë.
LEXO EDHE:
– Dosja hetimore ‘Partizani’, GJKKO: Berisha mund të ndërhyjë në asgjësimin e provave. Malltezi i mori fisit 3-5% për letrat
– Dosja ‘Partizani’, SPAK akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se favorizoi dhëndrin e tij: Jamarbër Malltezi përfitoi 5.4 mln euro
“Kemi depozituar ankim për të zënë afatet edhe për vendimin e dhënë në mungesë dhe për vendimin e marrë me avokat kryesisht. Gjithçka është bërë për zënie afatesh ndërkohë argumentet e plota do i dorëzojmë pasi të zbardhet vendimi”, tha Gjokutaj, i cili i konsideroi nul të dyja vendimet.
Sipas vendimit, GJKKO urdhërooi që shtetasi nën hetim Sali Berisha, të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mësohet se Berisha duhet të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore në datat 6 dhe 20 nëntor. Ndërkohë, gjykata njoftoi gjithashtu se dy avokatet e caktuara nga shteti për Sali Berishën, Rabije Cenalia dhe Jalldiz Kastrati janë tërhequr dhe nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes për ish-kryeministrin.
Në këto kushte, GJKKO caktoi një tjetër avokate kryesisht, Valentina Todoreskun, e cila u njoh me aktet e dosjes dhe kërkoi që të revokohet masa e sigurisë.
Sali Berisha kërkoi të enjten përmes një kërkese përjashtimin e gjyqtares së kësaj çështjeje, Irena Gjoka, por GJKKO e hodhi poshtë kërkesë me argumentimin si “të pabazuar në prova dhe në ligj”.
Ish-kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, çështje për të cilën akuzohet edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi i cili është me masë sigurie arrest në burg, si dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi me masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë Shqipërisë.
Kufizimin e lirisë, Sali Berisha e konsideron antikushtetuese, pasi sipas tij SPAK duhet të kishte marrë më parë autorizim nga Parlamenti për t’i kufizuar lirinë një deputeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




