Ka ndodhur

Gjirokastër/ Banesa digjet nga qiriri, 12-vjeçarja humb jetën pas asfiksimit nga gazi

Një vajzë 12-vjeçare, K.N., ka humbur jetën si pasojë e flakëve në fshatin Derviçan të Gjirokastrës mbrëmjen e të dielës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 minuta, kur të zotët e shtëpisë kanë dhënë alarmin se banesa është përfshirë nga flakët.

Shkak i zjarrit që shkrumboi banesën ishte një qiri, pasi prej orës 17 të pasdites së të dielës fshatrat e Dropullit ishin pa energji elektrike, ndërsa zona e Gjirokastrës është përfshirë nga reshje të forta shiu dhe ere.

Mësohet se e mitura u izolua në banjë, pasi flakët u shpërndanë në shtëpi dhe familjarët kërkonin ndihmë për të shuar zjarrin që përfshiu banesën dykatëshe. I plagosur në spital ka përfunduar edhe babai i saj, I.N., i cili ishte në banesë bashkë me të kur ra zjarri.

Mendohet se vajza, edhe për shkak të autizmit, mund të ketë pësuar një krizë paniku që nuk e ka menaxhuar dot. Është duke u hetuar nëse vetë ajo e ka shkaktuar zjarrin nga pakujdesia.

Ky është rasti i dytë në krye të dy javëve i një zjarri në banesë me viktima në zonën e Dropullit. Në të dy rastet, fatkeqësive i ka paraprirë mungesa e energjisë elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë