Gazeta Si – Fundjava që lamë pas ishte përgjithësisht pozitive me klubet e tyre për lojtarët e Kombëtares shqiptare. Në Itali, ku luajnë shumica e tyre, më të mirët mbeten dy qendërmbrojtësit Berat Gjimshiti dhe Adrian Ismajli.
Gjimshiti, ashtu si në Kombëtare, është një lider edhe tek Atalanta. Në ndeshjen e fundit të kampionatit me Sasuolon e Nedim Bajramit, ai mbajti në krah shiritin e kapitenit. Mbrojtësi kuqezi ishte më i miri në mbrojtjen e bergamaskëve, që kanë një seri fitoresh radhazi në Serinë A.

Edhe Ismajli bëri një paraqitje të mirë në barazim 1-1 të Empolit ndaj Fiorentinës. Ramadani luajti 90 minuta për Leçen në humbjen 2-0 ndaj Torinos, kurse Hysaj qëndroi në stol gjithë kohën në ndeshjen me Bolonjën, ku Lacio u mund 1-2. Kumbulla ende nuk ka debutuar me Sasuolon.
Rei Manaj dhe Myrto Uzuni shënuan në fundjavë për skuadrat e tyre. Manaj gjeti golin e 13-të në kampionat në barazimin 1-1 të Sivasporit, duke konfirmuar formën shumë të mirë që po kalon. Një gol barazimi shënoi edhe Uzuni në Spanjë, në ndeshjen mes Granadës dhe Almeiras, që përfundoi po 1-1.
Dy gola shënoi në Suedi sulmuesi Arbnor Muçolli, në fitoren 4-3 të Goteborgut në kupë. Në Premier Ligë, Armando Broja nuk luajti për Fulhemin ndaj Aston Vilës. Ai mungoi për arsye shëndetësore në një ndeshje, ku do të ndiqej nga tribuna edhe nga trajneri i Kombëtares Silvinjo dhe ndihmësi i tij Zabaleta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




