Teknologji dhe Inovacion

Gjigandët e energjisë, thirrje KE: Prioritet hidrogjenin e rinovueshëm

Grupet më të mëdhenj të energjisë elektrike duke përfshirë këtu Enel, Iberdrola, Ørsted, dhe EDP i kanë bërë thirrje Komisionit Europian që të ketë si prioritet energjinë e rinovueshme të hidrogjenit në planin e saj të ardhshëm të rimëkëmbjes ndaj pandemisë.

“Hidrogjeni i prodhuar përmes elektrolizës e i mundësuar nga 100% elektricitet i rinovueshëm ka zero emetime gazi serre dhe duhet të jetë prioriteti kryesor i Europës”, shprehet aleanca në një letër drejtuar komisionit.

Fushata “zgjidh hidrogjenin e rinovueshëm” mbështetet nga 10 kompani dhe shoqata: Akuo Energy, BayWa r.e., EDP, Enel, Iberdrola, MHI Vestas, SolarPower Europe, Ørsted, Vestas dhe WindEurope.

Energjia e marrë përmes diellit dhe erës është bërë burimi më i lirë i elektricitetit dhe pritet të luajë një rol madhor në dekarbonizimin e ekonomisë. Por disa sektorë industrial si çeliku, kimikatet apo transporti i mallrave të rënda janë tepër të shtrenjtë apo të veshtirë për t’u elektrifikuar.

“Por pikërisht në këta sektorë, hidrogjeni i rinovueshëm ka një potencial të madh përsa i përket vendeve të punës dhe rritjes ekonomike”, shton koalicioni.

Komisioni Europian është zotuar që të vejë në fokus të planit të rimëkëmbjes nga kriza e koronavirusit, i cili pritet që të prezantohet më 27 maj, Paktin për Europë të Gjelbër (European Green Deal).

Një draft i planit të Komisionit Europian i marrë nga EURACTIV propozon që të vihet fokus në energjitë e rinovueshme dhe tek hidrogjeni paralelisht pasi të dyja këto nevojiten për të dekarbonizuar sektorë të industrisë si çeliku dhe kimikatet.

Sidoqoftë, thuajse i tërë hidrogjeni i prodhuar sot vjen nga karburantet fosile. 76 % nga gazrat natyralë dhe 23 % nga qymyrguri, sipas Agjencisë Ndërkombëtare te Energjisë (IEA, International Energy Agency). 1 %-ëshi i mbetur vjen nga energjia elektirke e rinovueshme dhe shpesh përcaktohet apo referohet si hidrogjeni “jeshil”.

Profesoresha Claudia Kemfert ekonomiste e energjisë në Institutin Gjerman të Kërkimeve Ekonomike

“Industria aktualisht dominohet nga hidrogjeni fosil që vjen nga burime ndotëse për ambientin”, shprehet Profesor Claudia Kemfert një ekonomiste e energjisë në Institutin Gjerman të Kërkimeve Ekonomike.

“Rritja e burimeve të rinovueshme mund të ndihmojë në ndryshimin dhe kthimin e industrisë së hidrogjenit në një forcë të mirë për të gjithë ne, teksa kërkojmë të rimëkëmbemi nga kjo pandemi e tmerrshme”, shprehet ajo në një deklaratë për shtyp.

Komisioni e ka hidrogjenin element kryesor në planet e tij të dekarbonizimit të industrive europiane. Më herët këtë vit drejtuesit ekzekutivë të BE-së janë shprehur se do të nisin krijimin e “Aleancës së Hidrogjenit të Pastër” në përpjekje për të ngritur një zinxhir furnizimi me hidrogjen në Europë.

Problemi kryesor me të cilën po përballet kjo industri është menyra se si të rrisë prodhimin. Por teksa hidrogjeni jeshil përfaqëson veçse 1 % të tregut, mbështetësit e teknologjisë shprehen se përdorimi i hidrogjenit përmest fosileve do të nevojitet fillimisht sa për t’i dhënë një shtytje apo hov kësaj industrie.

Rritja e prodhimit të hidrogjenit përmes elektricitetit të rinovueshëm, “kërkon një oqean me subvencione dhe me shumë gjasa do të dështontë në dorëzimin e volumeve të nevojshëm për të bërë një diferencë të vërtetë”, shprehet François-Régis Mouton, nga Shoqata Ndërkombëtare e Prdhuesve të Naftës dhe Gazit (IOGP).

François-Régis Mouton, Drejtori i Marrdhënieve me BE-në në Shoqatën Ndërkombëtare të Prodhuesve të Naftës dhe Gazit

Fokusimi i gjithë mbështetjes financiare në një teknologji të vetme e të vogël në nivel prodhimi është një farë basti që Europa nuk mund ta përballojë gjatë këtyre ditëve”, shprehet ai. “Për të korrur sukses ne duhet që të promovojmë të gjitha format e prodhimit të pastër të hidrogjenit, duke përfshirë këtu dhe prodhimin nga reformimi i gazit me CCS apo me pirolizën e metanit si dhe nisjen e ndërtimit të sinergjive dhe ekonomive të shkallëve me grupet industrialë ekzistues”, shton ai.

Ndërtimi i sinergjive është ajo se çfarë Hollanda po planifikon të bëjë. Në prill, Hollandezët prezantuan vizionin e tyrë për hidrogjenin e pastër duke thënë se ata dëshironin të përdornin rrjetin e tyre të gjerë të furnizmit të gazit dhe vendodhjen gjeografike strategjike në zemër të Europës veriore industriale për të rritur në masë prodhimin e hidrogjenit, të pastër nga dioksidi i karbonit.

Burimi EURACTIV, përshtati në shqip nga Gazeta “Si”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë