Ngjarje

“Gjermanisht për qeverinë”

Sabina Veizaj - Nëse menduat se pankarta “Ofroj kurse gjermanishteje për qeveritarë dhe politikanë” ishte thjesht një meme, ju vërtetoj të kundërtën.
Beskida Aliaj, mbajtësja e pankartës është vërtet mësuese gjermanishteje në një nga qendrat e gjuhëve të huaja në Tiranë dhe ka që në ditën e dytë të protestës që mbështet studentët në shesh.

Beskida Aliaj

“Mua më është krijuar përshtypja që një në dy studentë janë duke mësuar gjermanishten, në mënyrë që të krijojnë një të ardhme atje. Fenomenin e kam vënë re sidomos 2-3 vitet e fundit. Ata që regjistrohen në kurse janë të moshës 20-25 vjeç. Gjatë studimeve në universitet ose sapo janë diplomuar, ata kërkojnë të mësojnë gjuhën për të lidhur një kontratë pune në Gjermani. Në çdo tre muaj kam 4-5 grupe me nga 10 vetë. Në çdo tre muaj unë ricikloj 50 vetë. Vetëm tek qendra ku unë jap mësim dhe vetëm unë, por sa qendra ka Tirana dhe sa zysha gjermanishteje ka?”, më thotë Beskida, duke mbajtur pankartën në dorë përpara kryeministrisë, ndërsa ora shënon 18:00 pasdite dhe protestuesit që qëndrojnë aty janë më të shumtë se një ditë më parë në të njëjtën orë.   

Beskida më thotë se pyetja e parë që u bën kursantëve në orën e parë të mësimit të kursit është “pse po e mësoni gjermanishten? Ndonjëri për qejf?”. “Jo moj zysh, ç’për qejf?”, i përgjigjen studentët, sepse gjermanishtja është pak e vështirë si gjuhë në fakt. "Sepse kemi objektiva dhe synime për të ardhmen, ose për punësim, ose për studim”, më përgjigjen. Sepse mendojnë që atje ka kushte më të mira, arsim dhe infrastruturë arsimore më cilësore”, shprehet ajo.

Ajo që shqetëson më tepër mësuese Beskidën është emergjenca që shfaqin studentët për ta mësuar gjuhën me shpejtësi. “Ka studentë që më thonë; ma mëson dot gjuhën me një muaj, me dy muaj? I them; zysh po kërkon të pamundurën, që ta sjell hënën këtu. Jo se është krejt e pamundur, por gjithsesi është tepër e vështirë se do të thotë të mësosh 24 orë non stop gjermanisht. Aq emergjente është bërë situata, sa njerëzit duan ta mësojnë urgjent gjermanishten dhe të ikin. Ka dhe nga ata që e nisin mësimin dhe vijnë më japin dorën e më thonë, po ikim sepse kanë firmosur në Gjermani kontratën e punës.”
Vetë Beskida është diplomuar në 2007. Ajo ka studiuar gjuhët e huaja në shkollën e mesme "Asim Vokshi" dhe më pas të lartën për Gjermanisht në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

“Kemi pasur edhe ne ankesat tona, por nuk kemi pasur fuqinë për të protestuar. Vërtet i përgëzoj studentët që e kanë marrë këtë iniciativë. Këtë bashkëbisedim po bënim edhe me një shoqen time. "Po pse të dal në protesta, ne nuk na i ka mbrojtur njeri të drejtat në kohën tonë", më tha. Por unë mendoj se nuk na i ka pasur fajin njeri. E kemi pasur vetë fajin.”

Por tani, thotë Beskida, nuk mban më ujë pilafi. “Për qeverinë dhe politikanët, ua ofroj kursin e gjermanishtes falas në mënyrë që ta mësojnë dhe të ikin, Pse duhet të ikim ne në Gjermani? Ne mund të ndërtojmë nga fillimi Shqipërinë sepse këtu ka potenciale, studentë dhe profesionistë të përgatitur dhe që e duan vendin. Kjo situatë që kemi mbërritur tani, nuk është vetëm faji i qeverisë aktuale. Është pasojë e 28 viteve investimi të keq ose mosinvestimi fare nga ana e qeverive që kanë kaluar pas 1990-ës. Tani situata është bërë shumë alarmante. Do të qëndroj deri në fund edhe sikur vetëm të mbetem.”   

Protesta në ditën e nëntë të saj që i bashkoi studentët tek Parlamenti, mori formën e një proteste anti-sistem duke u lënë mikrofonin e hapur të gjithë personave që ndjehen të shtypur nga sistemi.

Një prej kryesuesve të protestës, student në vitin e dytë Master Shkencor për drejtësi, e nisi fjalën e tij: “Ka 25 vjet që më kanë droguar dhe droga që më kanë injektuar quhet padrejtësi. Quhet tradhëti, korrupsion, por sot është dita e rehabilitimit për të gjithë shqiptarët. Jemi në këtë stad aktual dhe riskun tonë e kemi tek buza. Edhe sikur gjithë bota të na dalë e gjitha kundër dhe Zoti të na e ketë caktuar këtë fitore, ne do të fitojmë. Ne nuk dialogojmë. Pse? Kush mund të jetë një student normal që të flasë me një kryeministër bipolar? Të gjithë studentëve! Nuk ka përfaqësim, nuk ka dialogim! Vetë kryeminsitri në momentin që ju do të jepni fakte dhe argumente intelektuale, do t’ju trajtojë si idiotë.”

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/365948467550276/?epa=SEARCH_BOX

“:Jeni më poshtë se ne, jeni horra, sharlatanë, pushta, kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit në mënyrë paqësore, në të kundërt ky do të jetë fundi juaj. Po u bëjmë thirrje përfaqësuesëve tanë të na plotësojnë kërkesat pa negociata. Ne i kemi zgjedhur të jenë aty”, foli një tjetër student.

Ndërsa mes fjalëve këndonin “Shqipëri mjerane, rroga afrikane, çmime europiane, raca arjane, standarde talebane, qeveri hajvane.”
Në më shumë se një javë protestë, të paorganizuar, me disa megafonë, herë me përpjekje për t'i përçarë, për t'i sabotuar, herë e konsideruar protestë naive, pa bosht për skeptikët dhe që do të shpërndahej shpejt, studentët me këmbëngulje për të vazhduar në këtë mënyrë, pa kryesi dhe pa përfaqësi, po i japin protestës një përfaqësim mbarëkombëtar. Ata artikuluan të enjten se “kjo protestë është e gjithë shqiptarëve të pakënaqur nga sistemi këto 28 vjet”. “Ky është momenti të bëjmë ndryshimin për të mos u penduar nesër. Ftoni prindërit, të afërmit, miqtë”, thoshin ata.

“Jo mor jo, nuk durohet, në mjerim më nuk jetohet! Por do ngrihem, do bashkohem. Jam rini që revoltohem. Nuk paguaj, nuk paguaj, asnjë lek për krizën tuaj. Nuk paguaj për vërtetime, as tarifa, as kredite. Nuk paguaj për dekanin. S’jap haraç për rektoratin. Nuk paguaj korrupsionin. Kompromisin dhe mashtrimin”, një nga strofat e himnit të studentëve në protestë.

Të enjten studentëve iu bashkuan në protestë artisti Robert Aliaj, gjyshër, prindër të cilët morën fjalën, ish-zv/Ministri i Arsimit Taulant Muka i cili u tha studentëve të kërkojnë vettingun akademik, ku të gjithë rektorët, dekanët dhe pedagogët të paraqesin CV-në e tyre dhe në një letër të deklarojnë sa të pastër janë në aspektin akademik.

“Pedagogë, jam e para që them të nisë Vettingu Akademik për arsim cilësor dhe studentë cilësorë. Jam Mirela Bogdani, e diplomuar nga Universiteti i Oxfordit. Në mënyrë paradoksale jam lënë jashtë sistemit universitar shqiptar, në një sistem të degraduar. Sepse kam kundërshtuar atë palo ligj të arsimit të lartë dhe bashkë me 5 pedagogë të tjerë jam nxjerrë jashtë sistemit nga plagjaturisti Ervin Demo.”

“Vazhdon çdo ditë duke hapur varre dhe jo duke dhënë të drejtën studentëve. Nëse do të vazhdojnë kështu, varrin do t'ia bëjnë vetes, ju jeni e ardhmja. Turpexhiu nuk e njeh turpin kurrë. Ai na gënjeu, na mashtroi”, tha një gjysh kur mori fjalën përpara Parlamentit.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/370178057069937/?epa=SEARCH_BOX
https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/2500768106616997/?epa=SEARCH_BOX

Doriani, një nga studentët që ka folur më shumë gjatë këtyre 9 ditëve në protestë, i cili identifikohet lehtë se mban qeleshe dhe krahëve flamurin kombëtar, mendon se kryeministri po tregon rezistencë ndaj plotësimit të kërkesave sepse në të kundërt do t'i binte krejtësisht ligji për Arsimin e Lartë.

Student në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Doriani thotë se “nëqoftëse Rama plotëson këto kërkesa, mohon vetveten, të gjithë deputetët që kanë votuar atë ligj". "Mendimi im është se, në dialog një palë del më e humbur se një palë tjetër. Jam 100% i sigurtë se ne do të ishim pala humbëse nëse do të shtroheshim me të në dialog, sepse ai e ka treguar edhe në dialogje e negociata të tjera që ka vepruar në kurriz të të tjerëve për të dalë vetë i fituar”, shprehet Doriani.

Ai thotë me bindje se nuk do të ketë as grup, as kryesi, as përfaqësi. “Ne jemi të gjithë studentë, jemi të gjithë të barabartë. Këtu është diçka spontane, është një frymë lirie. Nuk mund të flasim në emër të të gjithëve, secili ka mendimin e tij që kërkon ta shprehë, ne jemi të gjithë të barabartë dhe do të vazhdojmë derisa të dorëzohen këta që na udhëheqin.”

Studentët kanë vendosur që luftën ta përvijojnë përpara Kryeministrisë. Sipas tyre, pasi i provuan të gjitha, thirrjet dhe qëndresën përpara Ministrisë së Arsimit, Parlamentit, ata mendojnë se "koka e meduzës është kryeministri". "Tanimë e kemi kuptuar që gjithçka varet nga ai. Të mos ia lërë topin askujt, por të plotësojë kërkesat tona nga të cilat nuk heqim dorë. Kërkesa pa dialog!" u shpreh një prej studentëve në protestë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë