Ngjarje

Gjermanisë i mungojnë shoferët e kamionit, rrezikohet furnizimi

Të ngasësh një kamion në Gjermani tashmë është kthyer një punë shumë pak tërheqëse. Duke marrë parasysh një sërë arsyesh, dhjetëra mijëra shoferë kamioni po largohen nga ky vend pune. Për shkakun se gjithnjë e më shumë shoferë mungojnë, industria e logjistikës po kërkon ta bëjë këtë profesion edhe më tërheqës, duke synuar të punësojë edhe gratë. Ka qenë pikërisht Gazeta gjermane “Welt” e cila ka ngritur alarmin për këtë ngjarje. Welt shkruan se pagat e ulëta, ditët e gjata të punës dhe kushtet e këqija të punës e kanë bërë këtë lloj pune të papëlqyeshme vitet e fundit.
Në këtë gjendje Gjermanisë i mungojnë 45 mijë deri në 60 mijë shoferë kamioni dhe Shoqata e Shpërndarjes së mallrave dhe Logjistikës në Gjermani, ka deklaruar se kjo është një tendencë në rritje. Një tjetër aspekt që ndikon në këtë proces është, edhe fakti se rreth 30 mijë shoferë kamioni dalin në pension dhe zëvendësohen shumë pak prej tyre. Sipas Shoqatës kjo gjendje, mund të rrezikojë edhe furnizimin me mallra për dyqanet e ndryshme.

Ndër të tjera Welt shkruan se për të zgjuar interesin e kamionistëve, duhet të përmirësohet cilësia e kushteve të punës dhe aftësitë e tyre, duke nisur që prej kabinave të tyre dhe më hartimin e një urdhëresë për të ndaluar rrugës në mënyrë që shoferët të plotësojnë nevojat e tyre. Mesa duket kjo është një tjetër fushë, ku do të kërkohen shumë punëtorë. Një ngjarje e tillë na bën të mendojmë se shumë emigrantë do të vërshojnë drejt Gjermanisë.
Çështja e emigracionit ka qenë ndër më të përfolurat në Gjermani dhe gjithnjë, ka shkaktuar debate të shumta. Kohët e fundit qeveria gjermane miratoi një ligj të ri për pranimin e punëtorëve të kualifikuar, nga vendet jashtë BE-së, duke hequr kështu shumë nga pengesat që ishin për punësimin e qytetarëve të Ballkanit. Aso kohe shumë media gjermanë njëkohësisht transmetuan lajmin se qeveria po i’u jepte shpresë emigrantëve, disa prej tyre i cilësuan këto vendime po merreshin në kurriz të punëtorëve gjermanë.

Ndër të tjera u deklarua se pas miratimit të projektligjit, qeveria gjermane theksoi se do të ruante parimin e ndarjes së azilit nga emigrimi ekonomik. Në fakt, ligji i emigracionit nuk do të ketë ndikim në sistemin e azilit të Gjermanisë. Në përputhje me Konventën e Gjenevës, Gjermania do të vazhdojë të jetë e detyruar të presë refugjatët që ikin nga lufta dhe përndjekja. Por gazeta “Der Spiegel” asokohe cilësoi se pas miratimit të ligjit të ri, pritet të lindin mosmarrëveshje midis SPD-së dhe partisë së kancelares Angela Merkel, për mënyrën sesi do të zbatohet rregulli “3 + 2”.
Ky rregull mbron azilkërkuesit që arrijnë të punësohen në Gjermani, për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh. Deri para pak kohësh, shtetet gjermane preferonin t’i deportojnë refugjatët, në vend që t’i jepnin leje punësimi. Për shumë nga deputetët e opozitës ligji i ri do t’u japë mundësi refugjatëve që u është refuzuar azili refuzuar mund të shfrytëzojnë rastin dhe të punësohen. Sipas rregullave të reja, emigrantët pa leje qëndrimi, të cilët mund të jenë në pritje të vendimit pas aplikimeve për azil ose në pritje të dëbimit, mund të qëndrojnë në Gjermani, në qoftë se janë të punësuar dhe mund të vërtetojnë se janë integruar në strukturën e shoqërisë gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë