Mendim

Gjermania nën sulm kibernetik. Dalin edhe ‘sekretet’ e Merkelit

Gjermania ka rënë viktimë e një sulmi të madh kibernetik, i cili ka ekspozuar në internet të dhëna të fshehta të qindra politikanëve, gazetarëve, komedianëve dhe aktivistëve.

Ndërkohë që Berlini zyrtar mbylli dyert për festat e fundvitit, hackerat kanë përdorur një llogari në rrjetin social Twitter për të publikuar emailet private, mesazhet e Facebook-ut, numrat e telefonit celular apo fotografitë.

Përgjimet, të cilat përfshijnë edhe kancelaren Angela Merkel, janë kryer përgjatë një periudhe katërjavore. Për gjermanët, të cilët u përballën me një sulm të ngjashëm nga Administrata Obama, kjo ishte një ngjarje e paprecendentë.

Nga 1 deri më 24 dhjetor, hackerat kishin përgjuar pothuajse çdo komunikim elektronik të qeverisë së Merkelit, gazetarëve apo aktivistëve. Sikur të mos mjaftonte kjo, mediat gjermane kanë zbuluar se autoritetet ishin vënë në dijeni për sulmin kibernetik që nga data 24, por nuk i thanë policisë.

Partia e ekstremit të djathtë, AfD, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë, duke e quajtur fshehjen e këtij sulmi si një "sekret krejtësisht të papranueshëm" dhe duke pyetur publikisht nëse zonja Merkel kishte "diçka për të fshehur".

Kush ishte në shënjestër?

Të dhënat e publikuara nga hackerat u përkisnin grupeve kryesore parlamentare të Bundestangut, duke fillluar nga koalicioni qeveritar i Angela Merkel, partitë e qendrës së majtë, si dhe të Gjelbërve.

Të vetmit që i kanë shpëtuar këtij sulmi ishin zyrtarët e AfD-së. Merkel është poashtu ndër personat e sulmuar nga hackerat. Gazeta "Bild" raporton se ndër dokumentet e publikuara janë një numër faksi, një adresë e emailit dhe shumë letra, që ka dërguar kancelarja apo i janë dërguar asaj.

Po ashtu ndër personat e prekur më së shumti janë ekologjisti Robert Habeck, sekretari i përgjithshëm i SPD-së Lars Klingbeil dhe ish-shefi i SPD-së Sigmar Gabriel. Habeck-ut iu postuan mesazhet private me anëtarët e familjes dhe kartat e kreditit. Gazetarët e televizionit publik “ARD” dhe “ZDF” dhe humoristët Jan Böhmermann dhe Christian Ehrin, ishin po ashtu viktima të këtij sulmi.

Në mesin e të dhënave të publikuara ishin edhe ato të reperit Marteria dhe grupit të rrepit K.I.Z.

Kush fshihet prapa këtij sulmi?

Nuk është e qartë se kush fshihet prapa sulmit, ndonëse dyshimet e para kanë rënë mbi grupet e e ekstremit të djathtë në Gjermani, si dhe në Rusi, pasi kjo e fundit është akuzuar për një sërë sulmesh kibernetike që goditën Gjermani një vit më parë.

Ministrja e Drejtësisë Katharina Barley konfirmoi zyrtarisht se hackerat kanë sulmuar të dhënat e telefonave celularë, chat-eve private, adresa dhe dokumente të tjera, të cilat më pas janë publikuar.

Barley thotë se sulmuesit kanë dashur të dëmtojnë besueshëmrinë e gjermanëve ndaj demokracisë dhe institucioneve. Politikania e CDU-së kërkon hetime të shpejta dhe zbulimin e sfondit të mundshëm politik të këtyre sulmeve. Deri tani nuk dihet se kush është përgjegjës për këto sulme dhe cilat janë qëllimet e publikimit të të dhënave personale.

Ndër të dhënat e publikuara janë edhe numrat e telefonave, si dhe dokumentat me të cilat politikanët kanë konkurruar në kongreset e partive të tyre për ndonjë post. Këto sulme janë vlerësuar me shumë seriozitet nga të gjitha grupet parlamentare. Ato menjëherë kanë filluar hetimet të brendshme.

Të prekur janë jo vetëm politikanët në federatë, por edhe ata lokalë dhe artistë. Mediat gjermane thonë se sipas të dhënave të deritanishme, nuk është publikuar ndonjë informacion tepër i ndjeshëm.

Por publikimi i të dhënave private ka shaktuar dëme të mëdha. Mendohet se pronari i llogarisë në Twitter, nga ku u publikuan të dhënat ndodhet në Hamburg. Informacionet e para duket se janë botuar që në kohën e Krishtlindjeve, por askush nuk i ka vënë re ato deri të enjten në mbrëmje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë