Bota

Gjermania mund të qëndrojë në karantinë totale edhe për dy muaj të tjerë

Izolimi total në Gjermani mund të zgjatet për 8 ose 10 javë të tjera. Ka qenë kancelarja Merkel që ka komunikuar lajmin, teksa vendi po i afrohet 2 milionë infeksioneve nga pandemia.

Të martën, Gjermania regjistroi 891 vdekje nga coronavirusi, shifër ndër më të lartat, dhe alarmi u rrit pas zbulimit për herë të parë të mutacionit afrikano-jugor të virusit.

Një tjetër vend me shifra shqetësuese është Portugalia, që ka kaluar 8 mijë vdekjet që nga nisja e pandemisë vitin e kaluar, shifër të cilës i shtohen 155 vdekje të regjistruara të martën.

Kryeministri Antonio Costa deklaroi se masat e reja kufizuese që hyjnë në fuqi të enjten do të zgjasin 1 muaj.

Ndërsa vala e radhës e COVID vijon të përhapet, Evropa po intensifikon programet e vaksinimit me produktin e kompanisë ‘Moderna’ që po shpërndahet.

Komisioni Evropian ka nënshkruar kontrata me 6 laboratorë dhe po diskuton me 2 të tjera në kuadër të politikës së përbashkët të blerjes, e mbrojtur nga ministri francez për Çështjet Evropiane.

“Kjo kornizë evropiane pune është e vetmja që na siguron akses tek vaksinat në kushte të sigurta, me çmim të ndershëm dhe që e bën të mundur procesin për gjithë popullsinë evropiane. Nëse çdo vend negocion me një laborator më vete, gjë e cila nuk ka kuptim pasi asnjë nuk ka një laborator të vetin, por nëse vijon në këtë mënyrë duke thënë se vetëm është më mirë se me të tjerët, atëherë besoj se kjo është një farse, një iluzion dhe mbi të gjitha joefikase”, deklaroi ministri Clement Beaune.

Ofertat ndërkohë po rriten. “AstraZeneca” ka aplikuar pranë Agjencisë Evropiane të Medikamenteve për aprovimin e vaksinës së saj. Nëse aprovohet, ajo do të jetë vaksina e tretë në BE pas ato të “Pfizer” dhe “Moderna”, e zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, me teknologji tradicionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë