Bota

Gjermania mund të miratojë vaskinat ruse dhe kineze

Gjermania ka sinjalizuar sot se në mungesë të vaksinave nga kompanitë farmaceutike perëndimore, mund të miratojë përdorimin e vaksinave ruse ose kineze. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn deklaroi se është i hapur për përdorimin e vaksinave kundër koronavirusit të prodhuara në Rusi ose Kinë.

“Nëse një vaksinë është e sigurt dhe efektive, nuk ka rëndësi se në cilin shtet është prodhuar, atëherë sigurisht që mund të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë”, tha Spahn për Frankfurter Allgemeine Zeitung. Ai tha megjithatë se vaksina kundër koronavivrusit duhet të kalojë nëpër një proces të gjatë autorizimi.

Këto komente të ministrit gjerman vijnë ndëkohë që Europa po përballet me vonesa të dërgesave të dozave të vaksinës nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.

Të premten, më 29 janar, Rusia tha se do të jetë në gjendje, ta furnizojë Bashkimin Evropian me 100 milionë doza të vaksinës së saj Sputnik-V, të mjaftueshme për vaksinimin e 50 milionë personave, që në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Rusia tashmë ka aplikuar për autorizimin e vaksinës në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA), edhe pse për Sputnik-V ka pasur skepticizëm të madh mes dyshimeve se vaksina ende nuk ka kaluar nëpër të gjitha studimet e nevojshme klinike.

Kryetari i qytetit të Berlinit, Micheal Mueller i ka shkruar një letër kancelares gjermane, Angela Merkel duke i thënë se Gjermania duhet të krijojë plane “të vaksinimit kombëtar” dhe nëse është e nevojshme të furnizohet me vaksina jashtë BE-së.

Për shkak të kritikave për fushatën e ngadaltë të vaksinimit kundër koronavirusit si dhe problemeve që janë shfaqur në prodhimin e dozave të vaksinës, Merkel pritet që të mbajë bisedime për këtë çështje të hënën me zyrtarët gjermanë. Krerët e landeve gjermane, ministrat federalë, përfaqësuesit e kompanive farmaceutike si dhe përfaqësuesit e Komisionit Europian, pritet që të marrin pjesë në këtë takim virtual.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë