Teater

Gjergj Prevazi, drejtori i ri i Teatrit Eksperimental

Nga Gazeta Si - Pas dorëheqjes së Altin Bashës, në krye të Teatrit “Eksperimental” vjen artisti Gjergj Prevazi.

Koreografi Gjergj Prevazi është i përzgjedhuri i Këshillit të Ministrave, ndërsa në garë morën pjesë edhe katër kandidatë të tjerë Ema Andrea, Genc Fuga, Indrit Çobani dhe Ledion Zoi.

Gjatë prezantimit të platformës së tij pak ditë më parë në Ministrinë e Kulturës, Prevazi u shpreh se në menaxhimin e mundshëm të kësaj skene ai do ta trajtonte teatrin si një hapësirë lirie dhe një të mirë publike që duhet trajtuar me kujdes.

Ndërkaq premtoi një imazh të ri të këtij teatri nga pikëpamja estetike, tematike e përmbajtjesore.

Koreografi Gjergj Prevazi lindi më 21 maj 1964 në qytetin e Durrësit, ku kreu edhe arsimin bazë. Studimet e larta ai i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në degën e koreografisë.

Më pas artisti bëhet pjesë e trupës profesioniste në teatrin “Aleksandër Moisiu” si koreograf i këtij teatri dhe më pas bëhet koordinator në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë.

Më 1997 ai bëhet pjesë e stafit të pedagogëve në degën e Koreografisë pranë Akademisë së Arteve të Bukura dhe mban peshën kryesore në katedrën e “Lëvizjes Skenike” si shef i kësaj katedre.

Ai është koreografi i parë shqiptar që ka eksperimentuar dhe lëvruar stilin ‘Dance Theatre’, me të cilin e çoi teatrin dhe lëvizjen skenike shumë hapa para duke pashkëpunuar me regjisorë të mirënjohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj, dhe duke u bërë pjesë e projekteve dhe shfaqjeve si “Shtrëngata 1988”, “Stinë e mërzitshme në Olimp Pallati i ëndrrave 2001”, “Oresti 2004”, “Opera për tre grosh 2009, “Medea 2006” projekte shumë të rëndësishme këto në hapësirën shqipfolëse.

Artisti Gjergj Prevazi ka qenë pjesë e afro 25 festivaleve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare duke marrë edhe shumë çmime të para si “Delphino d’argento”, në Festivalin Ndërkombëtar “Music-World” në Itali e shumë të tjerë.

Prevazi gjithashtu njihet dhe vlerësohet si i vetmi koreograf shqiptar që ka bërë kapërcimin e madh dhe të vështirë të stilit modern të lëvizjes skenike në teatër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë