Lojëra me Dore

“Gjenerata e humbur”, asnjë i lindur pas 90-s nuk ka fituar një “Slam” në tenis

Gjenerata e tenistëve të lindur nga viti 1990 e më pas ka luftuar më kot me “profesorët” e raketës. Të bën përshtypje fakti që në vitin 2020, kur ata të 1990-s mbushin 30 vjeç, nuk kanë arritur të fitojnë asnjë turne të rëndësishëm për meshkuj, asnjë “Grande Slam”. I fundit që luftoi ishte Thiem, por eksperienca e Gjokoviç bëri të vetën në Australi.

Zakonisht flitet për një “gjeneratë të humbur”, që u referohet ngjarjeve katastrofike. Është fjala për të rinjtë që kanë humbur jetën në luftërat botërore, atyre që janë prekur nga sida apo që kanë krijuar varësi nga droga në vitet ’80. Në tenis kjo gjeneratë i referohet atyre që kanë lindur në vitet ’90 e më pas. Janë djem e burra që janë përpjekur më kot të mposhtin më të vjetrit.

Dominik Thiem, nga më të talentuarit e brezit të ri. Gazeta Si, 3 shkurt 2020

Dominik Thiem, i datëlindjes 1993, ndoshta më i miri i kësaj gjenerate, pavarësisht ndeshjes kurajoze në finalen e “Australian Open”, u dorëzua para Novak Gjokoviç, i lindur në vitin 1987 dhe që tashmë ka shkuar në 17 “Slam”-e, 8 të fituar në Australi. Ishin 5 sete, ku rinia de eksperienca u ndeshën fort dhe në fund fitoi e dyta. Turneu australian nga kjo pikëpamje nuk të lë shumë mundësi. Mjafton të thuhet se Thiem është i pari tenist i lindur në vitet ’90 që shkon deri në finalen e Melburnit. Mes fituesve dhe finalistëve, më i riu është Çiliç, i lindur në 1988-ën.

Ndoshta në “Roland Garros” mund të thyhet kjo tabu nga gjenerata e re. Por është shumë e vështirë që ndonjë prej tyre t’ia dalë në Francë, në tokën e preferuar të Rafael Nadalit, i datëlindjes 1986 dhe që në dy edicionet e fundit ka mposhtur pikërisht Thiem. Në Uimbëlldon, ku kanë triumfuar Federer (1981), Mërrei (1987) dhe Gjokoviç, i vetmi i ri që i ka shkuar afër titullit, është Raoniç (1990). Shpresa të pakta edhe në “US Open”, edhe pse në edicionin e fundit, ku fitoi i zakonshmi Nadal, u paraqit mirë Medvedev (1996). Nga të rinjtë e tjerë më të mirë në botë, Zverev, Cicipas dhe Berretini, askush nuk ka shkuar në finale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë