Ana e errët

Gjendet “peshku i madh”. Shiste ujë pa leje, përfundon nën akuzë për fshehje të ardhurash

Nga Gazeta "SI" - Fshehja e të ardhurave dhe pastrimi i parave janë dy nga krimet më të pahetuara qoftë nga policia, qoftë nga prokuroria në Shqipëri. Shumë herë institucione të shumta kanë dhënë alarmin për këtë fakt. Por asgjë nuk ndryshon. Megjithatë një 44-vjeçar, i cili shiste ujë me bidona ishte "trofeu" i fitores së Policisë Bashkiake që e kapi L.F. në flagrancë dhe mbasi mbushi letrat ndaj tij, ngriti dyshime se ai po fshihte të ardhurat. Rasti që bëhet me dije për Gazetën “Si” u hetua “me sukses” nga Prokuroria e Tiranës, e cila e dorëzoi shtetasin L.F. të pandehur për krimin e fshehjes të të ardhurave.

Zbulimi i peshkut të madh

44-vjeçari sipas një burimi shumë të sigurtë të Gazetës “Si” u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Bashkiake në zonën e Selitës, në Tiranë. Në shkresa u shkruajt se: “Policia Bashkiake e Tiranës konstatoi se L.F. po tregtonte ujë të pijshëm pa kupon tatimor, përmes një mjeti të improvizuar autobot "Mercedez Benz". Për këtë aktivitet shtetasi L.F. nuk lëshonte kupon dhe nuk dha asnjë deklaratë për origjinën e mallit që po tregtonte (ujit)”.

44-vjeçari u ka dorëzuar dy policëve bashkiakë vetëm lejen e transportit për mallra brenda vendit. “Për këtë arsye këtij shtetasi iu vendos një masë administrative për lejen përkatëse nga Bashkia”, shpjegohet më tej. Policët bashkiakë nuk janë mjaftuar me kaq. Mbasi e kanë gjobitur kanë telefonuar policinë dhe ISHSH-në që kanë marrë kampionë të ujit për analiza.

“Pasi mbaruan punë dhe punonjësit e ISHSH-së mjeti është shoqëruar nga policia në pikën e bllokimit të Bashkisë”, sqarohet më tej për Gazetën “Si”.

Prokuroria nga ana e saj, thelloi hetimet duke qëndruar te tre fotografi në të cilat shfaqet një grua duke blerë ujë.

“Është e vërtetë unë punoj shpërndarës uji dhe për këtë aktivitet janë regjistruar në QKR që prej vitit 2013. Rreth orës 19 më telefonoi një i njohuri im në Selitë dhe më kërkoi ujë për larje. Me automjet shkova dhe u furnizova në malin e Dajtit dhe shkova për ti çuar ujë shtetasit L.K. Rrugës më kapi policia bashkiake, ata më gjobitën me 50 mijë lekë, pastaj erdhi inspektoriati i Shëndetit, ata më kërkuan dokumenta për ujin që kisha ne depozitë dhe pasi e shqyrtuan edhe ata më vendosën 100 mijë lekë gjobë. Pastaj erdhi policia dhe ma dërgoi makinën në pikë bllokimi që gjendet pranë IEVP 313 dhe mua më shoqëruan në komisarait për sqarime të mëtejshme”, ka pranuar të rrëfehet 44-vjeçari.

Megjithatë hetimi serioz i Prokurorisë zbuloi se L.F. bazuar në një akt të AKU, rezulton se ka fshehur të ardhurat dhe nuk kishte licensë. Nga ana tjetër edhe ISHSH i përgjigjet akuzës se ky inspektoriat nuk ka lëshuar akt miratimi higjieno-sanitar për tregtim uji me autobot.

I vetmi institucion që ka firmosur një shkresë pozitive për të akuzuarin është Drejtoria Rajonale e Tatimeve që ka konfirmuar që i dyshuari ishte i regjistruar si tatimpagues me aktivitet transport uji me mjetin e vet dhe që “prej 2013 nuk ka asnjë gjobë apo masë ndaj tij“.

Në përfundim mësohet se Prokuroria e Tiranës i ka shkuar deri në fund qëndrimit për të ngritur një akuzë ndaj 44-vjeçarit. Prokurori shprehet se “fshehja apo shmangia nga pagimi i detyrimeve tatimore nëpërmjet mos dorëzmit të dokumentave apo mos deklarimit të të dhënave përbën vepër penale dhe dënohet me burg deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen e të ardhurave me vlerë më të lartë se tetë milionë, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë