Ka ndodhur

Gjendet një person i pajetë brenda një makine të shkrumbuar në Elbasan

Gazeta Si - Një person është gjetur i shkrumbuar brenda një makine në afërsi të zonës së quajtur “Kryqi”, në rrugën e vjetër të aksit Elbasan-Tiranë, pranë zonës së Krrabës.

Policia thotë se viktima ka qenë në pjesën e pasme të automjetit tip “Volkswagen Passat”, i cili është shkrumbuar totalisht nga flakët, deri tani në rrethana të paqarta. Fillimisht kanë qenë banorë të zonës që kanë lajmëruar zjarrfikësit për një makinë të djegur rreth orës 22:30.

Pasi zjarrfikësja ka mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë parë se brenda saj në sediljet e pasme ishte një trup i djegur. Në këtë moment është lajmëruar policia, e cila ka ardhur dhe rrethuar zonën, ku edhe është konfirmuar dyshimi i zjarrfikësve se bëhej fjalë pikërisht për një trup të djegur.

Automjeti është shkrumbuar totalisht dhe nuk mund të dallohen targat, ndërsa për viktimën, paraprakisht dyshohet për një person të seksit mashkull, megjithatë është ekspertiza ajo që do të thotë fjalën e fundit.

Pista kryesore ku po hetohet, është ajo e një vrasje të mundshme për larje hesapesh. Ndërkohë nuk përjashtohet edhe mundësia e një krimi për shkaqe të tjera. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë