Ka ndodhur

Gjendet i pajetë në Greqi 51-vjeçari shqiptar, kolegu i mori telefonin dhe e braktisi

Gazeta Si – Autoritetet greke kanë gjetur sot të pajetë shqiptarin Ylli Mera, i deklaruar i zhdukur para pak ditësh, pasi kishte shkuar të punonte në një zonë pyjore të Selanikut.

Mera kishte shkuar në këtë vend bashkë me një koleg grek për të prerë dru dhe sipas informacioneve të autoriteteve greke, ishte plagosur me sharrë elektrike. Greku, sipas këtyre informacioneve, e la shqiptarin të plagosur dhe u largua me ndihmën e të birit.

Më pas u zbulua se ai e kishte lënë të mbuluar me gjak kolegun dhe se kishte thënë se ishte një aksident. Po ashtu, greku kishte hedhur në rrugë celularin e shqiptarit për të shmangur zbulimin e ngjarjes. Greku 59-vjeçar dhe djali i tij janë arrestuar.

Ende nuk ështe e qartë se si ka ndodhur ngjarja. Në kontrollet e kryera në shtëpinë e 59-vjeçarit dhe në makinën e djalit të tij janë gjetur 5 thika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë