Ekonomi

Gjatë 2020-s, familjet shqiptare mbajtën 200 mld lekë kredi

Sipas raportit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, gjatë vitit 2020, rreth 23.000 biznese dhe familje shqiptare përfituan nga masat lehtësuese, në vlerën e rreth 200 miliardë lekëve kredi në banka me 0.5% normë bazë interesi. Kjo lidhet me masat që Banka e Shqipërisë mori gjatë kohës së pandemisë, duke ulur nivelin e normës në minimalen historike të vendit.

Nga 12 banka tregtare në vendin tonë, 4 janë me kapital shqiptar dhe 8 me kapital të huaj. Ato me kapital shqiptar janë Abi Bank, Tirana Bank, pjesërisht Credins Bank dhe UBA. BSH-ja ndaloi edhe shpërndarjen e fitimeve të bankave të nivelit të dytë deri në qershor 2021.

Për të gjithë vitin e shkuar, inflacioni mesatar vlerësohet në 1.6%. BSH-ja vendosi objektivin për një inflacion 3% për shkak të pandemisë.

Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së në vitin 2020, rezultoi 77.8%, nivel që sipas Ministrisë së Financave u rrit nga tërmeti i 2019-s dhe pandemia.

Nga kreditë e marra, 50% ishte në lekë dhe ky trend u rrit me 10.5% në raport vjetor. Pjesa tjetër e mbetur në valutë, kryesohet nga euro. Monedha që shqiptarët e preferojnë edhe për ruajtjen  e depozitave të tyre.

Raporti i kredive me probleme ndaj numrit të kredive gjithsej vlerësohet me 8.1%, një pjesë e madhe e të cilave i përkiste 10 kompanive më të mëdha në vendin tonë.

Volumi i pagesave përmes banking-ut nga shtëpia u rrit me 13.7% dhe vlera e transaksioneve të tyre u rrit me 8.8%. 7.03% transaksione ishin me pagesa jo cash për llogari nëpërmjet internetit. Një mënyrë  e re pagesash që u përqafua gjatë pandemisë dhe vazhdon ende të jetë në nivele të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë