Gazeta Si – SHBA ka sjellë përgjigje të letër-porosive mbi pyetjet e disa dëshmitarëve amerikanë të çështjes “Gërdeci”, por autoritetet gjyqësore janë shprehur se pyetja e këtyre personave nuk mund të bëhet nga gjykata, por vetëm nga agjentët e FBI-së.
Në përfundim të seancës së radhës, ish-ministri Fatmir Mediu, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe avokatët mbrojtës të tij, kundërshtuan provat e prokurorisë.
Ndërkohë SPAK ka kërkuar të merret si provë akt-ekspertimi tekniko ushtarak në gjyqin e Mediut, ndërsa ish-ministri kërkoi ekspertim tjetër për shkaqet e zjarrit dhe të bëhet eksperimenti.
Nga ana tjetër, Mediu kërkoi që të ketë një diskutim nëpërmjet video-konferencës me dëshmitarët që jetojnë në SHBA.
“E kemi bërë të qartë kërkesën tonë. Kemi kërkuar një diskutim interaktiv me një kompani që ka pasur kontratë me ministrinë e Mbrojtjes. Do ishte mirë të kishim një diskutim nëpërmjet video-konferencës. Kërkova të vlerësohet pjesa ligjore formale e aktit të kryer dhe të përcaktohet se çfarë ka ndodhur. Është e gjitha ajo historia e karrocës së dorës, ndërkohë që vetë ekspertët amerikanë thonë se nuk ka asnjë lloj nxehtësie aty për të djegur barutin. Mendoj se do ishte në dinjitetin e SPAK që të bëheshin të gjitha aktet e ekspertizës për pretendimet e bëra”,- tha ish ministri i Mbrojtjes.
Seanca gjyqësore e radhës do të mbahet më datë 2 maj në orën 10:00. Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku në 15 mars 2008 humbën jetën 26 persona në fabrikën e demontimit pranë Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.