Ngjarje

‘Gërdeci’ / Gjykata e Strasburgut pranon padinë e familjarëve të viktimave: Të dëmshpërblehen të dëmtuarit

Gjykata e Strasburgut merr vendim për tragjedinë e Gërdecit: U shkelën procedurat. Shteti të dëmshpërblejë me 12 mijë euro Zamira Durdajn

Gazeta Si - Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka pranuar padinë e familjarëve të Gërdecit, duke thënë se ata duhet të ishin pjesë e procesit që në fillim.

Gjykata e Strasburgut ka marrë një vendim në favor të familjeve të prekurave. Ndërsa theksohet se gjatë procesit ka pasur shkelje procedurale, Gjykata kërkon dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për Zamira dhe Feruzan Durdajn.

“Në çështjen Durdaj dhe të tjerët kundër Shqipërisë, Gjykata ka konstatuar shkelje të aspektit procedural të së drejtës për jetën. Çështja kishte të bënte me një shpërthim në një objekt të ngritur nga autoritetet shtetërore për çmontimin e armëve, makinerive dhe pajisjeve të forcave të armatosura të çmontuara dhe të vjetruara. Në total, 26 persona humbën jetën dhe mbi 300 u plagosën.

LEXO EDHE:
- "Gërdeci"/ Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi dëshmitarë në gjyqin ndaj Mediut. Gjykata refuzon të huajt
- Dëshmitarët e ‘Gërdecit’ në seancën ndaj Mediut, ish-ushtaraku: Baruti ishte me tonelata. Pati tym të bardhë para shpërthimit

Gjykata konstatoi se kërkuesve iu ishte hequr mundësia për të marrë pjesë në mënyrë efektive në gjykimin penal. Për më tepër, procedimi penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes për shpërdorim detyre është ende në pritje, duke lënë kështu kërkuesit pa një përfundim përfundimtar për përgjegjësinë e tij edhe më shumë se 14 vjet pas shpërthimit”, thuhet nder të tjera në njoftimin e Gjykatës së Strasburgut.

Gjykata thotë se shteti duhet t’u paguajë shumat kërkuesve, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës.

“Bashkërisht Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt, 12 000 euro (dymbëdhjetë mijë euro), plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; aplikantëve të mbetur, 10,000 (dhjetë mijë euro) secili, plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; bashkërisht për të gjithë aplikantët, 8,000 (tetë mijë euro) euro, plus çdo taksë që mund t’u ngarkohet atyre, në lidhje me kostot dhe shpenzimet; që nga skadimi i tre muajve të sipërpërmendur deri në shlyerje, do të paguhet interes i thjeshtë për shumat e mësipërme me një normë të barabartë me normën marxhinale të huadhënies të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit plus tre pikë përqindjeje”, thuhet në vendimin e Strasbugut.

Personat që dërguan çështjen në Strasburg janë Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj, prindërit e të ndjerit Erison Durdaj, Feruzan Durdaj, Roxhens Durdaj, Alketa Hazizaj, Aishe Selami, Pashk Kaçi, Mirela Hazizaj, Miselda Zguri, Medi Gola, Rabie Gërdeci, Shaban Brahushi, Sabrie Picari, Dylbere Prini, Adelina Cani, Meltina Haka, Bege Aliu dhe Esmeralda Sefaj.

Për dosjen “Gërdeci”, ku po gjykohet për “shpërdorim detyre”, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, kanë nisur seancat në SPAK ku do të dëgjohem me dhjetëra dëshmitarë.

Ish-ministri, i cili akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyrë në bazë të Kodit Penal dhe atij Ushtarak, pretendon pafajësi dhe konsideron procesin si të motivuar politikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë