Politike

Gent Cakaj shkarkon të gjithë ambasadën shqiptare në Greqi

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka shkaktuar një fortunë në ambasadën shqiptare në Athinë, duke shkarkuar të gjithë stafin, përfshire edhe ambasadoren.

Burimet nga MPEJ thonë për mediat se Cakaj ka marrë këtë vendim për shkak të performancës dhe shërbimeve të dobëta ndaj komunitetit shqiptar.

Pa humbur kohë ministri Cakaj ka gjetur edhe emrin që do të zëvendësojë ambasadoren e shkarkuar Ardiana Hobdari. MPEJ i ka propozuar presidentit Ilir Meta emrin e Luela Hajdaragaj si ambasadore e Shqipërisë në Athinë.

Shkarkimi i të gjitha ambasadës, e para në historinë diplomatike të vendit tonë, mësohet se ka ardhur për shkak të korrupsionit dhe vonesave të pajisjes së emigrantëve shqiptarë me pasaporta biometrike.

Një sërë denoncuesish janë shprehur përgjatë javëve të fundit se shqiptarëve u kërkohej nga punonjësit të paguan nga 150 euro për një pasaportë në ambasadën e Shqipërisë në Athinë.

Gazetari shqiptar që jeton dhe punon në kryeqytetin grek, Shpëtim Zinxhiria thotë në një denoncim se  ambasada i detyronte emigrantët të paguajnë një tarifë prej 6.8 eurosh në me justifikimin se pasaporta t’u shkojë në shtëpi, por kjo nuk ka ndodhur.

Sikur të mos mjaftojë kjo çmenduria tjetër është se pasaporta nuk u vjen në shtëpi emigrantëve së bashku me kartën e identitetit edhe pse këta kanë paguar tarifën pa u pyetur fare. Tarifa 6.8 euro brenda Athinës edhe 1km larg, nuk është çmenduri? Kartën e identitetit duhet të shkojnë e ta marrin në ambasadë, pra ka vend për të marrë kartën por jo pasaportën”, shkruan ai,

Gjithashtu theksohet se vetëm një e treta e godinës së ambasadës shfrytëzohej nga diplomatët.

Vjedhja e pasaportave

Por ky nuk është skandali i parë që është përfshirë ambasada shqiptare në lidhje me pasaportat biometrike kohët e fundit. Vetëm një vit më parë, Ambasada Shqiptare në Athinë u trondit  nga skandali i vjedhjes së 100 pasaportave shqiptare pas transportit me një autobus linje drejt Ambasadës shqiptarë në Athinë. Kjo ngjarje duket se ka shkaktuar në fakt edhe një nga skandalet më të mëdha diplomatike të shtetit shqiptar përgjatë viteve të fundit 

Gjithçka duket se nisi më 13 shkurt të 2019, kur 100 pasaportat e reja ishin futur në çanta dhe pa asnjë shoqërues të ministrisë, ishin dërguar me linjën e autobusëve Tiranë-Athinë.

Por sipas raporteve, policia greke ka ndaluar shoferin e autobusit si të dyshuar për trafik pasaportash. Të nisur nga dyshimet, por edhe mosrespektimi i standardeve për transportin e tyre, Policia greke ka hyrë në kontakte me Ministrinë e Jashtme të Greqisë, nga e cila kërkoi që të kontaktonte diplomatët në Tiranë. Pas disa orësh, shoferi është lënë i lirë të vazhdojë rrugën me autobusin e tij, por çantat me pasaporta janë bllokuar në Kakavijë deri në mbërritjen e punonjësve diplomatikë të autorizuar për tërheqjen e tyre.

Por gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë automjeti me targa diplomatike u sulmua dhe pasaportat u grabitën nga persona ende të paidentifikuar dhe me siguri do të keqpërdoren për qëllime kriminale.

Sipas Konventës së Vjenës, e cila përcakton qartë se si bëhet transportimi i materialeve diplomatike, dy janë rrugët: përmes pakove diplomatike me avion si kargo ajrore, ose me rrugë tokësore me mjet me targa diplomatike CD dhe të shoqëruar nga një korrier diplomatik.

Gjithmonë pakoja diplomatike ka firmën e një kutie të stampuar, me elementë sigurie dhe tregues dhe duhet të ketë letër shoqëruese. Në asnjë pikë të nenit 27 të Konventës së Vjenës nuk thuhet që pakot diplomatike mund të dërgohen me autobusë të udhëtarëve dhe të pashoqëruar nga korrierë diplomatikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë