Politike

Gënjeshtrat e dekriminalizimit që penalizojnë Agim Kajmakun

Pafajësia e marrë me vonëse nga drejtësia greke nuk e shpëton Agim Kajmakun nga penalizimet që parashikohen nga ligji i dekriminalizimit. Shkelja e parë që ai ka bërë është se ka ofruar të dhëna të rreme dhe ka mbajtur të fshehtë faktin që është hetuar, apo gjykuar nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale.

Në hyrje të formularit të vetëdeklarimit Agim Kajmaku pranon se në të shkuarën ka mbajtur emrin Jorgo Toto. Pikërisht me këtë emër ai rezulton i hetuar dhe gjykuar në Greqi në vitin 2003 për akuzën e falsifikimit të parave.

Agim Kajmaku vetëdeklaron se në të shkuarën ka mbajtur emrin Jorgo Toto

16 vite më vonë, Gjykata e Janinës e shfajësoi përmes një vendimi të dhënë më 12 shtator 20019 me argumentimin se nuk provohet që Agim Kajmaku është vetë falsifikatori i parave në fjalë dhe se ai vetë ka qenë viktimë e këtij falsifikimi.

Por, në formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më 13 maj 2019, pyetjes numër tre që thotë: “A keni qenë ndonjëherë në hetim, ose gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale?”, Agim Kajmaku i është përgjigjur duke vendosur shenjën X tek “Jo”-ja.

Shkelja vazhdon edhe në pyetjen e katërt. “A keni qenë ndonjëherë i ndaluar, apo i arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale?”, thotë kjo pyetje. Edhe këtu, Agim Kajmaku ka vendosur shenjën X tek përgjigja “Jo”.

Pyetja pesë e formularit të dekriminalizimit kërkon që kandidati për t’u zgjedhur, ose emëruar të përgjigjet nëse ka qenë caktuar ndonjëherë ndaj tij një masë shtrënguese e sigurisë personale. Edhe këtu, Agim Kajmaku përgjigjet me “Jo”.

Mbi penalizimet që burojnë nga deklarimet e rreme në formularin e dekriminalizimit Agim Kajmaku është njohur nga seksioni II i këtij formulari. Pika d) e këtij seksioni thotë se: “pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota dhe të pasakta në këtë formular dhe refuzimi i depozitimit të gjurmëve daktiloskopike (shenjat e gishtave) passjell skualifikimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi, zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funksionit publik”.

Agim Kajmaku ka firmosur seksionin II të formularit të dekriminalizimit. Gazeta Si, 18 shtator 2019

Pra, sipas kësaj pike dhe mbi bazën e atyre që ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit, Agim Kajmaku pengohet nga ligji që të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryetarit të Bashkisë së Vorës, pavarësisht se nga drejtësia greke ka marrë pafajësinë.

Parashikimi i pikës 3 të nenint 5 të ligjit të dekriminalizimit. Gazeta Si, 18 shtator 2019

Jo vetëm kaq, por në interpretimin që Partia Demokratike i bën ligjit, thotë se Agim Kajmaku duhet të hetohet penalisht. Çfarë parashikon ligjet për këtë pjesë? Ligji i dekriminalizimit në pikën 3 të nenit 5 saktëson se “deklarimi i rrethanave të rreme, ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenin 190 të Kodit Penal”.

Parashikimet e nenit 190 të Kodit Penal. Gazeta Si, 18 shtator 2019

Ky nen i Kodit Penal parashikon dënimet për falsifikim ose përdorim i vulave, stampave, apo formularëve të falsifikuar, ose paraqitja e rrethanave të rreme në këta formularë që dorëzohen tek organet shtetërore. Dënimi shkon nga gjashtë muaj deri në katër vjet burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë