Shendet

“Gati spitalet rajonale për Covid”, Manastirliu-Meta “debat” për diabetikët

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu paralajmëroi nga Vlora se po bëhen gati spitalet rajonale për përballimin e epidemisë së Covid19.

“Kemi marrë vendimin që përpos strukturave të dedikuara, gjithashtu të kemi disa skenarë të gatshëm që të mundemi të trajtojmë edhe në spitalet rajonale pacientë të prekur me Covid. Në planin tonë në përfshirjen e spitaleve rajonale, kemi rritur kapacitetet e këtyre spitaleve për të mundësuar një trajtim sa më efikas përsa u përket të prekurve me Covid 19 kemi mundësuar fuqizimin e këtyre spitaleve qoftë përsa i përket pavioneve të dedikuara me të gjithë linjat e oksigjenit, fuqizimit përsa i përket pajisjeve që duhen, gjithashtu dhe trajnimi i vazhdueshëm për mjekët dhe infermierët”, tha Manastirliu.

Dita Botërore e Diabetit

Manastirliu tha se janë 78 mijë qytetarë që përfitojnë barnat e diabetit falas të financuara 100% nga shteti.

“Janë 78 mijë qytetarë të cilët përfitojnë nga skema jonë e barnave të rimbursueshme për trajtimin falas të diabetit. Dhe gjithashtu nëpërmjet programeve tona të parandalimit,  praktikisht janë 14.5 % e qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, të cilët janë identifikuar si prediabetikë dhe më pas mjeku i familjes, mjeku specialist i ka këshilluar dhe trajtuar”, tha Manastirliu.

Ministria e Shëndetësisë ndërkohë njofton se për herë të parë në vitin 2018 u rimbursuan fishat e diabetit falas për fëmijët dhe  aktualisht kap moshën deri në 25 vjeç. Shteti financon 20 milion dollarë në vit për rimbursimin e barnave falas

Por Presidenti i Republikës, Ilir Meta ndan një tjetër këndvështrim për punën që është bërë deri më tani në drejtim të diabetikëve.

“Një nga kërkesat e drejta, por të pazgjidhura ende, është rimbursimi për kategoritë më në nevojë, që për shkak të kushteve të vështira ekonomike e kanë të pamundur përballimin e kostove të larta të mjekimit.

Në situatën e pandemisë COVID-19, situata në të cilën ata ndodhen duhet parë me përparësi absolute, nëpërmjet paketave konkrete të ndihmës ekonomike, të dedikuara në parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit të tyre.

Të prekurit nga diabeti, në mjerim dhe varfëri, të mbështeten dhe të mos braktisen nga shteti”, shkruan Meta në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë