Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria po përgatitet për ndryshime të rëndësishme në menaxhimin e rezervave të hidrokarbureve me miratimin e një projektligji të ri. Sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ligji parashikon që menaxhimi i rezervave të detyrueshme të kalojë nga kompanitë private tek agjencia shtetërore, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe më të kontrolluar për vendin.
Ai theksoi se kompanitë hidrokarbure janë njoftuar për detyrimet që duhet të përmbushin gjatë vitit 2026, përfshirë mbajtjen e rezervave të detyrueshme bazuar në xhiron ditore të vitit të kaluar, ndërsa verifikimet në terren do të përfundojnë brenda 31 marsit.
Sipas ministrit, situata ndërkombëtare, përfshirë zhvillimet në ngushticën e Hormuzit, nuk ka ndikuar në furnizimin me hidrokarbure në Shqipëri, falë diversifikimit të rrugëve të furnizimit.
“Tashmë secilës nga kompanitë hidrokarbure që ofrojnë në Shqipëri i është çuar njoftimi për detyrimin e rezervës hidrokarbure që duhet të mbajnë në vitin 2026, që është e përllogaritur në bazë të xhiros ditore të vitit të kaluar. Po ashtu grupet në terren tashmë u janë njoftuar edhe subjekteve për të bërë të gjitha verifikimet e nevojshme brenda datës 31 mars. Patjetër që subjektet e dinë që kanë detyrimin që të mbajë 31 ditë rezervën hidrokarbure në Shqipëri dhe pjesën tjetër të 60 ditëve të kontraktuar në mekanizma të ndryshëm.
Bllokimi i ngushticës së Hormuzit nuk kanë impaktuar furnizimin me hidrokarbure në vendin tonë, pasi kanalet e furnizimit janë me mekanizma të tjerë apo në rrugë të tjera detare. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka dy vjet që po punon për ligjin e ri të rezervës së hidrokarbureve, i cili është konsultuar me publikun para disa muajsh dhe tani është në fazën përmbyllëse për miratim. Projektligjin që përmbush plotësisht direktivat e Bashkimit Europian dhe të vendit, tashmë rezervat e hidrokarbureve nuk do të mbahen më nga kompanitë, por nga agjencia shtetërore. Patjetër që struktura e çmimit të karburanteve në pikën fundore, zë pjesën më të madhe”, tha Karakaçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje