Ngjarje

Gati 3 mijë qytetarë hyjnë dhe dalin në 24 orë nga Qafë-Thana pa tampon

Mbyllja e pikës kufitare të Kakavijës ka bërë që shiptarët të përdorin pikëkalim nga Maqedonia e Veriut për të hyrë në Greqinë fqinje, duke shkaktuar fluks dhe radhë të gjata në Qafë-Thanë

Burimet i thonë Gazetës Si se gjatë 24 orëve të fundit nga kjo pikë kufitare kanë hyrë dhe dalë më shumë se 2900 shtetas shqiptarë. Sipas burimeve numri i madh i qytetarëve që udhëtojnë në drejtim të Maqedonisë së Veriut është prej ditësh i lartë pasi ata përdorin vendin fqinj për të kaluar tranzit drejt shtetit grek.

Në këto kushte, në Qafë Thanë është shtuar numri i sporteleve në hyrje dhe dalje për të shmangur radhët e qytetarvë të cilët hyjnë dhe dalin pa kontrolle mjekësore apo pa dorëzuar një tampon negativ. Burimet i thonë Gazetës se duke qënë se fluksi është i madh, nuk po bëhet as kontrolli i temperaturës.

Fluksi është shtuar këtë fundjavë për shkak të reduktimit të daljeve nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës nga pala greke.

Qytetarët po hyjnë dhe dalin në pikën kufitarë të Qafë Thanës pa pasur nevojën të paraqesin një tampon që vërteton se nuk janë të infektuar, pavarësisht se Maqedonia, ashtu si shumë vende fqinje të Shqipërisë, po sheh raste në rritje të të infektuarve me variantin e ri.

Ky fluks i madh qytetarësh në kufi vjen ndërkohë që vendi fqinj po përballet me shpërthimin e variantit britanik të koronavirusit, i cili duket se po përhapet kryesisht në komunitetin shqiptar.  Ministria maqedonase e Shëndetësisë ka njoftuar se së fundmi, prezenca e mutacionit nga Britania e Madhe është zbuluar mbi 100 tamponë të personave të infektuar.

Pacienti i parë me këtë variant virusit në këtë laboratori është diagnostikuar më 13 janar 2021 në Ohër dhe që prej atëherë prezenca e tij është rritur së bashku me rritjen e rasteve të reja pasi mutacioni anglez sipas studimeve rreth tij tregon se është më i rrezikshëm dhe vdekjeprurës.

Mutacioni anglez është zbuluar po ashtu në qytete të tjera si Tetova, Struga, Kumanovë dhe Prilep. Të gjitha vendet në kufi me vendin tonë kanë raportuar raste në rritje të variantit të ri, por praktikisht Shqipëria është e lirë dhe pa barriera.

Gazeta “Si” pyeti autoritetet shëndetësore nëse po mendohet ndonjë kusht për hyrjen në vend, por Instituti i Shëndetit Publik u përgjigj se për momentin ka vetëm një urdhër që ndalon udhëtimet nga Britania e Madhe dhe vetkarantinimin e detyrueshëm të udhëtarëve që vijnë nga vendet e tjera, por që kanë nisur rrugën e tyre nga ishulli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë