Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një konference për mediat ka njoftuar se është hapur gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës.
Balluku tha se gara do të jetë e hapur në faqen e ministrisë duke filluar nga data 2 gusht deri në datën 23 shtator 2021.
Aeroporti sipas Ballukut do të jetë i kategorisë 3C me pistë 2200 metra edhe pse për këtë kategori pistat limitohen edhe deri në 1800 metra por kjo bëhet për të krijuar më shumë lehtësi. Numri i pasagjereve në vitin e parë të operimit pritet që të jetë 150 mijë dhe sipas studimit pritet që të konsolidohet në mbi 1 milionë brenda 3-4 vitesh. Aeroporti i Sarandës do të jetë një aeroport sezonal.
“Puna flet dhe nuk ka shumë nevojë për fjalë. Aeroporti i Sarandës do t’i shtohet kësaj kurore infrastrukture ajrore shumë të rëndësishme.
Dua të theksoj se zona e Sarandës është një zonë me interes. Ne kemi pasur interes nga grupet që operojnë në Aviacionin Civil në Europë.Do të jetë një investim privat i kuotuar në vlerën 37 milionë eurove. Zona e Sarandës është një zonë e rëndësishme që ka marrë vrull zhvillimi në sektorin e turizmit. Kjo garë do të jetë e hapur. Ajo do të jetë aktive në faqen tonën duke nisur nga data 2 gusht dhe deri në 23 shtator të 2021.”-tha Balluku.
Ajo gjithashtu shtoi që më anë të këtij aeroporti mund të kryhen tashmë edhe fluturime brenda vendit nga aeroporti i Kukësit në atë të Sarandës, duke ofruar lehtësi për qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.