Shendet

Gallup: Shqipëria, pjesë e vendeve me normën më të lartë të refuzimit të vaksinave

Qytetarët shqiptarë janë tepër skeptik ndaj marrjes së vaksinës së Covid-19. Në një sondazh të fundit nga kompania analitike Gallup, rezulton se shqiptarët renditen në vendin e 11-të  në botë për sa i përket pranimit të vaksinimit, ndërsa mbajnë numrin e 16 në mesin e 20 vendeve për refuzimin e vaksinave.

Pyetja kryesore e anketës ishte “Nëse një vaksinë për të parandaluar Covid-19 do të ishte e disponueshme pikërisht tani dhe pa kosto, a do të ishit ju dakord që të vaksinoheshit?.   34% e të anketuarve janë përgjigjur me “Po” dhe 52% e të pyeturve janë përgjigjur me “Jo”.

Për sa i përket rajonit të Ballkanit, ndër të parët në listë që kanë shprehur pakënaqësinë kundrejt vaksinës është Kosova me 56%, Republika e Maqedonisë së veriut rreth 53%. Ndërsa në Bosnjë Hercegovinë 61% të të anketuarve i janë përgjigjur me jo pyetjes nëse do të vaksinoheshin.

Sipas Gallup, gatishmëria e njerëzve për të marrë një vaksinë për koronavirusin varionte në të gjithë botën në vitin 2020, me përqindjet që thoshin se do të merrnin një vaksinë, që ishte më e larta në Mianmar, me 96% dhe më e ulëta prej 25% në Kazakistan.

Shumica e të pyeturve në mbarë botën, rreth 68% janë shprehur se do të merrnin një vaksinë vetëm nëse e kishin falas. Ndërkaq raporti shpjegon se tashme  Danimarka, Islanda, Nikaragua, Nepali, ishin ndër shtetet ku njerëzit treguan gatishmëri për të marrë vaksinat.

Nga ana tjetër vende nga Europa Lindore  dominojnë listën e vendeve ku njerëzit ishin më pak të gatshëm të merrnin një vaksinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë