Ngjarje

Fytyra femërore e Ushtrisë së Kosovës

Shota ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç, kur vendosi të linte shkollën dhe Gjermaninë për t’i shkuar pas të atit, në Kosovë. Në vitin 1998, ajo u bë një nga vajzat luftëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Si pjesë e UÇK-së jam në policinë ushtarake, por nëse kërkohen fronte të tjerë, do të luftoj edhe atje”, thoshte Shota, që ndoshta fatin në luftë ia nxiti emri i heroinës legjendare, Shote Galica, që në fillim të shekullit të 20-të, do të luftonte me çetat kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare. Me Shotën, në një dokumentar të Associated Press, është edhe Fortesa.   

Kjo e fundit braktisi studimet në Universitetin e Prishtinës për t’iu bashkuar radhëve të ushtrisë çlirimtare. Pranvera Bala aspironte të ndiqte studimet për aktrim, por e la ëndrrën mënjanë për t’u trajnuar si ushtare. Atëkohë çdo fshat e kishte një kontingjent me gra të reja, të veshura ushtare. Pas luftës, thoshte e reja, do të dëshironte t’i kthehej studimeve, si të gjithë të rinjtë, në botë.

https://www.youtube.com/watch?v=yy7Kju2Z9XY
Shota dhe Fortesa, luftëtare të UÇK


Si ato, të nevojshme për të lënë librat, për plumbat, e mendoi edhe Irfete Spahiu, një vajzë në të njëzetat e saj, studente në ekonomi dhe drejtësi, në Universitetin e Prishtinës, e cila kishte vendosur dy vjet më herët, të hynte në radhët e UÇK-së. Të parin revolver do ta mbante në dorë, në pronën e familjes së komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, në Drenicë. Ishte mars i vitit 1996. Atje, në Kullën e Jasharëve, bëri betimin. “Si anëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare dhe për bashkimin e tyre. Do të jem përgjithmonë një ushtar besnik, një luftëtare lirie me vlerë, syhapur, trime dhe e disiplinuar, gjithmonë gati për të vendosur jetën në vijën e luftimit dhe të mbroj interesat e shenjtë të atdheut tonë.” Në mars të ’96, ajo do të bëhej një nga të parat gra ushtare në UÇK. Pas asaj dite iu bashkua luftës për çlirim.

Gjeneral Brigade e FSK, Irfete Spahiu 


Atëbotë, Irfete Spahiu nuk do ta dite se një 6 mars i ardhëm, do të ishte një datë historike, jo vetëm për të, por për të gjithë Kosovën. Më 6 mars të 2018-ës, Irfete Spahiu, një nga gratë e para ushtare të UÇK-së, do të betohej sërish, vetëm se kësaj here si gruaja e para  Gjenerale Brigade, e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Sot, është në përfundim të dy doktoraturave, në fushën e ekonomisë dhe financave. Është gruaja e parë në Forcat e Sigurisë së Kosovës, që mban këtë gradë. “Por mua kjo më ka përcjellë prej fillimit të karrierës, të jem oficerja e parë ose e vetme në gradën e caktuar”, do të thoshte në mars të 2018-ës, Spahiu. Edhe Milihat Tahiri është anëtare e Forcave të Sigurisë së Kosovës. “Kur e takova atë në muajin mars, Kosova nuk e kishte ushtrinë e saj”, shkruante fotoreporterja amerikane Valerie Plesch, mbi fotografinë e një gruaje të re, ushtarake, ndërsa Parlamenti i Kosovës votoi paketën ligjore për të krijuar të parën ushtri kombëtare, një proces që do të kërkojë më shumë se 10 vjet për t’u përmbyllur.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, votuan më 14 dhjetor të 2018-ës, të tre projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, me një miratim prej 96 votash pro.

Vlora Gashi, anëtare e FSK


Projektligj mendohet të rregullojë kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.Thuajse 20 vjet pas luftës së Kosovës, NATO-ja ende ruan paqen dhe sigurinë në shtetin prej 1.8 milionë banorësh.


Sipas këshilltarit për Siguri, të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ushtra e ardhshme e Kosovës do të ketë afro tetë mijë trupa. Ndër këta, pesë mijë do të jetë aktive dhe dymijë e pesëqind rezervë. “Është e mjaftueshme si forcë që mbron sovranitetin e Kosovës, ashtu si edhe e mjaftueshme për të përballuar buxheti i Kosovës”, do të shprehej Bislim Zyrapi.

Për të zhvilluar Forcat e Sigurisë, në Ushtrinë e Kosovës, ka zbuluar këshilltari i presidentit, buxheti cakton pesë milionë euro për të. Ushtria do të ketë armë të këmbësorisë, por edhe armë të rënda si tanke. Zyrapi do të thoshte më tej, për mediet kosovare, se ushtria nuk do të ketë aviacion, kjo për shkak të terrenit të vogël të shtetit, por do të ketë një njësi të helikopterëve, ku parashikohet të blihen tre deri në gjashtë të tillë. Liridona Baftjari, nga Malisheva e Gjilanit, është pilotja e parë e helikopterit në Forcat e Sigurisë së Kosovës, e për pasojë edhe e ushtrisë, të miratuar tashmë prej parlamentit. Baftjari ka shërbyer, më herët, si nëntogere në FSK, ndërsa formimin akademik e ka marrë në Turqi. Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë në radhët e tyre, dyqindegjashtë gra dhe vajza, me grada si kolonele, nënkolonele, majore e kapitene.

Pilotja e FSK, Liridona Baftjari 

Shumica prej tyre me shkollim jashtë Kosovës, ato janë të gatshme e të përgatitura për t’u bërë ballë situatave dhe misioneve ushtarake. Për nënkolonelen Arife Halili, oficere e FSK-së me detyrë në Departamentin e Personelit në Komandën e Forcave Tokësore, misioni i saj ka nisur 19 vjet të shkuar, kur u angazhua në spitalin ushtarak në Likofc, të Mitrovicës, ku kuroheshin luftëtarët e plagosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kur lufta përfundoi, ajo do të shërbente në Batalionin e 40-të të Mjekësisë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Me transformimin e këtyre trupave , zuri vend në FSK, në Komandën e Forcave Tokësore në departamentin e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak e më 2016-ën u ngrit në gradën e nënkolonelit.“Emancipimi i femrave lidhet ngushtë me rritjen e pjesëmarrjes së femrave sidomos në fushën e sektorit të sigurisë”, do të shprehej Halili, ndërsa shtonte se vajzat dhe gratë përfaqësohen ende me një numër shumë të vogël në Forcat e Sigurisë, krahasuar me numrin e tyre në shoqëri. Për t’i shtuar radhët e ushtrisë me prani femërore, sipas nënkoloneles, do të duhej të promovohej më shumë barazia gjinore. Megjithëse të pakta në numër, gratë në Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë edhe pozicione komanduese, siç është nënkolonelja Hamide Osaj, komandante e kompanisë së Mjekësisë në FSK. Osaj thotë se në vendet e Ballkanit Perëndimor, vendet e punës në ushtri dhe në siguri zakonisht konsiderohen profesione të meshkujve prandaj, sipas saj, duke u nisur nga ky perceptim pozita juridike e femrës në FSK është e rregulluar me norma ligjore dhe bazën e ka në Kushtetutën e Kosovës.

Osaj, e cila është e vetmja femër në nivelin komandues thotë se së bashku me komandantët e njësive tjera pranështabore koordinojnë dhe shkëmbejmë përvojat më të mira të komandimit. Kosovare Hoxha është tetare në FSK, prej vitit 2011. Hoxha thekson se është e kënaqur me përfaqësimin e femrave në FSK.“Deri më tani kemi arritur që t’i realizojmë me sukses detyrat që na janë dhënë dhe femrat në FSK tanimë janë të sistemuara nga grada e Ushtarit, Nënoficerit dhe Oficerit, pra nga grada e Ushtarit dhe deri tek ajo e Kolonelit të cilën e mban me dinjitet kolonel Irfete Spahiu, zëvendëskomandant i KDS-së në Ferizaj”, do të shprehej Hoxha, e pyetur nga mediet vendase. Për gjeneralen Irfete Spahiu përgatitja dhe vullneti i vajzave dhe grave për të qenë pjesë e shërbimit janë të epërme.

Në mars, e intervistuar nga gazetarja Leonora Aliu, për revistën “Kosovo 2.0”, gjeneralja do të thoshte se janë shtatë vajza nga bashkësitë minoritare si boshnjake dhe serbe, nga veriu i Kosovës, në trajnim për t’u bërë anëtare të Forcave të Sigurisë dhe me të përfunduar procesi, disi i gjatë i transformimit, në ushtrinë e Kosovës. Suksesi i trajtimit dhe studimeve jashtë vendit, si edhe arritjet në konkurset ndërkombëtare të vajzave të FSK-së, janë ato çka e bëjnë Spahiun krenare. Kur sheh këtë sukses kujton kohët kur njerëzit thoshin se uniforma ishte për burra.

Një mendësi që ajo e theu kur ishte vetëm njëzet vjeç dhe u betua si luftëtare në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Tanimë, me një shtet të pavarur prej dhjetë vitesh, grave si ajo, ashtu si edhe burrave, u mbetet ta ruajnë dhe ta sigurojnë shtetin e tyre, për të cilin dy dekada më herët shumë derdhën gjakun për ta çliruar nga shtypja e ushtrisë jugosllave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë