Mode

Fustani ‘i gjallë’ që ndryshon ngjyrë dhe formë duke imituar rritjen e një luleje

Marka e modës Auroboros ka dizajnuar një fustan të bërë nga plastika e ricikluar dhe kristale kripe që ndryshon ngjyrën dhe formën në kohë reale, duke imituar rritjen e një luleje.

Fustani, i quajtur Biomimicry, u vesh nga roboti i inteligjencës artificiale Ai-Da në Festivalin e Dizajnit në Londër.

Paula Sello dhe Alissa Aulbekova, dizajnerët e Auroboros u frymëzuan nga koncepti i biomimikrisë, që përkufizohet si "një praktikë që mëson dhe imiton strategjitë që gjenden në natyrë".

"Dizajni i fustanit është krijuar për të treguar se si do të dukej një bimë nëse do të rritej në një trup, duke përshkruar se si do të formohej në formën dhe siluetën e një personi”, thanë dizajnerët.

Për të krijuar fustanin pa mëngë, dizajnerët përdorën programim dixhital. Kjo u mundësoi atyre të prisnin modelin, të vendosnin për madhësinë dhe të siguronin përshtatjen e duhur. Pasi u përcaktuan këto detaje, ata filluan të skalitnin strukturën e fustanit duke përdorur Perspex të ricikluar, një plastikë e ngurtë transparente.

Kristalet që zbukurojnë shtresën e mesme të fustanit ishin rritur me dorë nga kristalet e kripës që ishin inkubuar dhe ngrohur gjatë disa javësh. Më pas u lyen me ngjyra jeshile të errët dhe u vendosën në pjesën e brendshme të fustanit, duke i dhënë fustanit ngjyrën e gjelbër.

Duke ripërdorur mbetjet materiale, dizajnerët shpresojnë të çojnë më tej angazhimin e markës ndaj qëndrueshmërisë, inovacionit dhe gjithëpërfshirjes.

Shtresa përfundimtare, e cila transformohet në kohë reale, u zhvillua në partneritet me Universitetin Queen Mary të Londrës.

Krahas biomimikrisë, Auroboros vizatoi figura dhe motive të gjetura në mitologjinë greke për të krijuar fustanin. Dizajnerët përmendin perëndinë e diellit Apollon dhe perëndeshën e nimfës Daphne si shembuj.

Lidhja e tyre e ngushtë me natyrën mund të shihet në dekoltenë e fustanit dhe në shpinën e hapur, e cila të kujton algat e detit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë